Qeveria e Kosovës sërish i ka dhënë dritë jeshile Projektligjit për Çmimet Tavan, i cili më herët nga Gjykata Kushtetuese ishte shpallur i pavlefshëm, pasi ishte sfiduar atje nga partitë opozitare.
Kryeministri, Albin Kurti tha se në mandatin e kaluar krahas përgjigjeve me pako për përballje me inflacionin si masë urgjente, kishin nisur edhe iniciativën për krijimin e Ligjit për Çmimet Tavan, kjo sipas tij, jo për të penguar rritjen e zhvillimit të askujt, por për të evituar, siç tha, keqpërdorimet apo fryrjen artificiale të çmimeve.
“Por ngjashëm sikurse shumë iniciativa të tjera edhe ky ligj u pat sfiduar pas aprovimit në Kuvend, në Gjykatën Kushtetuese nga ana e opozitës. Dhe ja ku jemi shumë e shumë muaj pas me kriza të reja në sfond global që tash këto kriza e prekin edhe xhepin e qytetarëve tanë”, tha Kurti.
Andaj, tha Kurti, projektligji vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti e përvoje që qytetarët thotë se e kanë përjetuar.
“Rritje të papritura të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave efektiv për mbrojtje e ruajtje. Me këtë ligj nuk po ndërhyjmë në tregun e lirë, por përkundrazi po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi. Ky projektligj vendosë një balancë të domosdoshme ndërmjet funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë së shtetet për të mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme. Krijimin e instrumenteve të qarta për ndërhyrje të përkohshme, të targetuara dhe të bazuara në evidencë, në fakte, duke shmangur deformimet afatgjate të tregut”, tha ndër të tjera Kurti.
Kryeministri tha se ky ligj garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produkte bazë në kohë krize, parandalon spekulime dhe fitime të pajustifikuara në kurriz të qytetarëve dhe siguron reagim të shpejt institucional kur tregu destabilizohet.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se ky projektligj ka për qëllim të përcaktojë kornizën ligjore për vendosjen e masave të përkohshme proporcionale për produktet themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut. “Me synim mbrojtjen e konsumatorit dhe interesit publik, si dhe vendosjen e një mekanizmi të ri të pavarur institucional dhe procedural për menaxhimin e situatave që vijnë si rezultat i luhatjeve të theksuara të çmimeve në treg”, tha ajo.
Kurti: Edhe pse s’e kam hequr akcizën e TVSh-në, veç çka jam...
Kurti për inflacionin, thotë se është i ‘’importuar’’: Anije...
Kane mungon ndaj Freiburg, pritet të rikthehet për ndeshjen ...
MPB sqaron përdorimin e xhamave të errët në automjete
Ganimete Musliu ia heq mikrofonin Albin Kurtit, nuk e lejon ...
Kurti: Ulja e TVSH-së dhe akcizës krijon boshllëk financiar,...