Vetëvendosje kërkon nga Osmani t’ia emërojë anëtarin e tretë në KQZ

18:43 | 2 Prill 2026
Q L

Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar kërkesë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që t’ia emërojë anëtarin e tretë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Sekretari organizativ i VV-së, Alim Rama, ka publikuar në Facebook letrën.

Ai ka thënë se “pasi që përfaqësimi i subjekteve politike në KQZ lidhet me përfaqësimin parlamentar të dalë nga zgjedhjet, ka kërkuar të respektohet ky parim”.

“Sot, përmes një letre, i jam drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriut me kërkesën për emërimin e anëtarit të tretë të KQZ-së nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kjo kërkesë vjen duke marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mospranimin e kërkesës së Presidentes për vlerësimin e konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës” (Nr. të lëndës: KO81/26). Vullneti politik i qytetarëve i shprehur me votë popullore në zgjedhjet e 28 dhjetorit është i qartë. E meqë parimi themelor është se përfaqësimi i subjekteve politike në KQZ lidhet me përfaqësimin parlamentar të dalë nga zgjedhjet, kërkojmë që të respektohet ky parim, rrjedhimisht vullneti i qytetarëve”, ka shkruar Rama në Facebook.

Të mërkurën kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kërkuar nga presidentja Osmanit t’ia emërojë anëtarin e dytë në KQZ.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës të hënën ka dal me aktvendim lidhur me kërkesën e Osmanit për emërimin e anëtarëve të KQZ-së. Kushtetuesja e shpalli të papranueshme kërkesën e Osmanit.
Osmani kishte kërkuar vlerësimin e “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, përkatësisht në mes të parashtrueses së kërkesës dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Republikës së Kosovës” në ndërlidhje me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ajo po ashtu kishte kërkuar nga Kudshtetuesja të vendosë masë të përkohshme në zbatimin e afateve ligjore lidhur me fillimin e mandatit të një anëtari të KQZ-së, që nuk ishte emëruar për shkak të paqartësive kushtetuese.

Osmani ka emëruar deri më tash nëntë anëtarë të KQZ-së, ka mbetur pa emëruar edhe një anëtar.

 

Shpërndaje në rrjete sociale