Kryeministri Edi Rama u shpreh se vendi nuk është përballë kushteve të ngadalësimit të procesit të integrimit. Gjatë një bashkëbisedimi me studentë të rinj mbi ecurinë e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, Rama theksoi se shumë prej informacionit që qarkullon në pasqyrat mediatike shpesh është i pasaktë, duke penalizuar cilësinë e informimit publik.
Rama nënvizoi se vendi nuk është përballë ngadalësimit të procesit, por përkundrazi, është në një moment historik ku fati po i buzëqesh shqiptarëve dhe Shqipërisë.
“Nuk e di kush e ka konstatuar këtë idenë e ngadalësimit nga pasqyrat mediatike, të cilat për fat të keq përgjithësisht janë shumë të dyshimta në ato që thonë dhe shkruajnë. Bota është bërë shumë e shpejtë, koha e informacionit është ritmike dhe përpjekja për të marrë vëmendje është frenetike, saqë shpesh nuk ka kohë për të verifikuar gjërat që thuhen. Dua të them se ne jemi në një moment ku për herë të parë në histori, fati po u buzëqesh shqiptarëve dhe Shqipërisë. Nuk ka asnjë ngadalësim të procesit të integrimit,” u shpreh Rama.
Rama solli edhe një shembull për të shpjeguar se si funksionon procesi i integrimit, duke theksuar se raportet kalojnë përmes dy niveleve: Komisionit Europian, i cili është një strukturë objektive që jep detyrat për vendet kandidate, dhe Këshillit Europian, ku udhëheqësit e 27 vendeve anëtare vendosin me konsensus mbi hapjen e negociatave.
“Raporti i një vendi kandidat kalon përmes dy niveleve. Kati i parë është Komisioni Europian, i cili përbëhet nga komisionerë të zgjedhur nga vendet anëtare dhe ka mbi 35 mijë punonjës në Bruksel që merren me të gjitha fushat, përfshirë edhe vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së. Komisioni është një mësues objektiv, nuk merret me qëndrime politike, por na jep detyrat që duhet të përmbushim. Kati i dytë është Këshilli Europian, ku udhëheqësit e 27 vendeve anëtare shqyrtojnë raportin e Komisionit dhe vendosin me konsensus mbi hapjen e negociatave. Mjafton që një vend të thotë jo, dhe negociatat nuk hapen, sepse BE funksionon me konsensus. Këtu hyn edhe debati mbi veton, që mund të mbajë peng të gjithë të tjerët. Jemi refuzuar sepse një vend anëtar nuk na donte. Çfarë kishte me Shqipërinë? S’kishte asgjë, por kishte një problem të krijuar me shqiptarët, politikë” tha Rama.
Kryeministri Rama tha se procesi i integrimit nuk është ngadalësuar dhe dera është hapur, duke shtuar se është përgjegjësi e institucioneve dhe qytetarëve që të mos lejojnë mbylljen e saj.
“Procesi që të ngadalësohet është që ose vendi që do të shkojë bën gabime dhe vendoset në një pozicion jo të favorshëm dhe Komisioni fillon e ngre rezerva, ose politika e një vendi ngre rezerva. Sot nuk jemi në këto kushte, por pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është sa kohë kemi? Dera është hapur dhe mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet. Duhet të bëjmë maksimumin në këto vite që kemi përpara ku duket që dera është qartësisht dhe plotësisht e hapur,” u shpreh Rama.
Skemë mashtrimi në Everest/ 11 të arrestuar, dyshohet se hel...
Paralajmërimet e Trump, Tusk: Tërheqja e SHBA nga NATO, ëndr...
Nga një bisedë te një simbol i Kosovës: mesazhi emocionues i...
Begaj pas paralajmërimit për kërcënime: Institucionet e sigu...
“Keqtrajtohet nga gruaja e tij”, reagon Macron pas deklarata...
Rudolph: Do të vazhdojmë të mbështesim FSK-në dhe Kosovën dr...