Supremja rrëzon dispozita të Udhëzimit për TVSH

15:33 | 1 Prill 2026
A Z

Përmes një komunikate për media Gjykata Supreme e Kosovës, njofton se ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e kompanisë Ipko Telecommunications L.L.C në konflikt administrativ ndaj Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Me këtë aktgjykim, Gjykata ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar nën-paragrafin 1.2 të paragrafit 1 dhe nën-paragrafin 3.3 të paragrafit 3 të nenit 61 të Udhëzimit Administrativ MF-Nr.03/2015 për zbatimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), të publikuar më 18 shtator 2015.

Çështja lidhet me detyrimin për llogaritjen e TVSH-së mbi kompensimet nga sigurimi në rastet e dëmeve në pasuri. Sipas paditësit, “në rast të realizimit të këtij kompensimi, ai do të detyrohej në mënyrë të kundërligjshme të paguante TVSH mbi shumën e përfituar”.

Gjykata Supreme vlerësoi se dispozitat në fjalë tejkalojnë kompetencat ligjore. “Këto dispozita krijojnë një bazë të re tatimore që nuk është e paraparë me ligj”, thuhet në arsyetim.

Po ashtu, Gjykata theksoi se Ligji për TVSH përcakton qartë objektin e tatimit. “Objekt i tatimit janë vetëm furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të kryera kundrejt pagesës, ndërsa kompensimet e dëmeve nga sigurimi nuk përbëjnë furnizim ekonomik”.

Gjykata konstatoi se dispozitat bien ndesh me parimet e sistemit të TVSH-së, duke theksuar se “aktet nënligjore nuk mund të krijojnë detyrime të reja tatimore që nuk janë të përcaktuara me ligj”.

Në arsyetim u përmend edhe praktika ndërkombëtare, sipas së cilës “pagesat me natyrë kompensuese, si dëmshpërblimet nga sigurimi, nuk mund të konsiderohen si kundërvlerë për një furnizim dhe rrjedhimisht nuk i nënshtrohen TVSH-së”.