Rritja e çmimeve të derivateve ka shkaktuar efekt zinxhir në sektorin e transportit ndërurban në vend, duke detyruar kompanitë t’i shtrenjtojnë biletat për qytetarët.
Derisa ditë më parë për linjën e autobusit Prishtinë–Ferizaj kushtonte 1 euro e gjysmë, tanimë ajo kushton 2 euro. Rritje të çmimit të biletave kanë shënuar pothuajse të gjitha linjat e trafikut ndërurban.
Shoferët e autobusëve thonë se janë përballur me rritje të madhe të kostove dhe se kanë kërkuar mbështetje nga institucionet për ta përballuar situatën, e cila tashmë ka prekur drejtpërdrejt udhëtarët.
Qytetarët shprehen të pakënaqur me shtrenjtimin e biletave, duke theksuar se gjendja e tyre ekonomike e bën të vështirë përballimin e këtyre kostove shtesë.
“Jam nis për Gjilan, bileta ka qenë 2 euro a 2.50, tash 3 euro a 3 e diçka është bërë, vetëm se është rrit kuota e udhëtimit të kosovarëve, ne jemi të pakënaqur, sepse nuk kemi kushte ekonomike, materiale, financiare, nuk jemi në asnjë nivel për t’i përballu kësaj kostoje, nëse ndalet lufta, ulet kostoja, ku po mbet bileta”, tha Naim Mehmeti nga Gjilani.
“Para gjashtë muajsh bileta ka kushtuar 5 euro, kurse sot sipas dërgimeve vetëm është rritur deri në 6 euro, e komentoj shumë, shumë jo të mirë, një gjë jo shumë të mirë”, tha në anën tjetër Sokol Nikollibaj nga Gjakova.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e kompanive të transportit thonë se rritja e çmimeve ka qenë e pashmangshme. Sipas tyre, shpenzimet për karburant kanë arritur deri në 74% të të hyrave, duke i vendosur kompanitë përballë dy zgjedhjeve: rritjes së çmimeve ose mbylljes së aktivitetit.
“Dje ka qenë e hënë, 23 mars, të hyrat deri dje prej 28 shkurtit, kur ka filluar lufta në Mesdhe, shpenzimet e karburanteve kanë marrë pjesë në 74% në të hyrat e kompanive të transportit ndërurban dhe kjo tregon më së miri që kompanitë kanë qenë të mbështetura për muri, ose t’i ngrisnin çmimet ose t’i mbyllnin kompanitë”, tha Jakup Berisha, kryetari i Unionit të Shoqatave Rrugore.
Shtrenjtimi i biletave është reflektuar në linjat për Ferizaj, Gjilan, Prizren, Mitrovicë, Drenas, Lipjan dhe qytete të tjera, ndërsa disa kompani thonë se rritja ka nisur që para tri javësh./rtk
Integrimi evropian i Kosovës, Zulfaj premton rezultate konkr...
Gjobiten Meta dhe YouTube për varësinë nga mediat sociale
Moti i keq, Kapiteneria e Vlorës ndalon lundrimin e mjeteve ...
Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të ...
Lushaku: Për LDK-në, Konjufca e Mulhaxha nuk janë emra të pr...
“Diaspora, aseti ynë i veçantë”, Agim Ademi falënderon “Dard...