Ademi viziton Kosovën U21: Synimi është kualifikimi në Euro 2027

23:21 | 24 Mars 2026
E.G

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vizituar kampin e Kosovës U21, e cila po vazhdon përgatitjet për ndeshjen kundër Rumanisë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2027.

Sipas njoftimit të FFK-së, gjatë vizitës, Ademi ka përgëzuar futbollistët dhe stafin teknik në krye me Hekuran Kryeziu për punën dhe përkushtimin, duke shprehur besim të plotë në potencialin e kësaj gjenerate.

Ai ka theksuar se dera e ekipit të parë mbetet e hapur për të gjithë ata që dëshmojnë vlerat e tyre në fushë.

“Në ekipin e parë mund të përfshihet secili prej jush. Nëse dikush nuk është në formën më të mirë, gjithmonë ka hapësirë për të tjerët që me punë dhe përkushtim të zënë vendin e tyre”, është shprehur Ademi.

Kreu i FFK-së ka vlerësuar talentin e madh të futbollit kosovar, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë. “Ne si Kosovë jemi me fat dhe krenar sepse kemi shumë talente të rinj. Kemi futbollistë shumë premtues, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë”, ka thënë ai.

Duke folur për përgjegjësinë që mbart fanella e Kosovës, Ademi ka shtuar s përfaqësimi i Kosovës është privilegj dhe përgjegjësi. “Duhet të jepni maksimumin në çdo moment dhe të jeni të vetëdijshëm për peshën e kësaj fanele”, ka thënë ai.

Në prag të sfidës ndaj Rumanisë, ai ka theksuar objektivin kryesor të ekipit. “Qëllimi ynë është të bëjmë maksimumin për t’u kualifikuar. Rruga nuk është e lehtë, por në futboll asgjë nuk është e pamundur”, ka deklaruar Ademi.

Ademi ka folur edhe për rëndësinë e unitetit për arritjen e suksesit. “Suksesi nuk arrihet individualisht. Vetëm si ekip i bashkuar mund të arrini objektivat dhe të bëni gjëra të mëdha për Kosovën. Prandaj, jepni 120 përqindshin dhe bëjeni të mundur që flamuri i Kosovës të valojë në Euro 2027”, ka thënë ai.