Llapi ankohet sërish në referim, por kësaj radhe “pranon humbjen”

20:23 | 22 Mars 2026
D.H

Llapi sot është mposhtur nga Malisheva me rezultat 2-0 në kuadër të xhiros së 26-të në Superligën e Kosovës.

Pas ndeshjes nuk ka munguar reagimi i Llapit, ku përsëri është ankuar në referim, ndryshe nga herët e tjera kësaj e ka “pranuar humbjen”, shkruan Arbresh.info.

“Sot nuk ishim në nivelin tonë më të mirë dhe e pranojmë rezultatin pa kërkuar justifikime.”

“Megjithatë, mbetet shqetësues fakti që një moment kaq i qartë i ka shpëtuar jo vetëm gjyqtarëve në fushë, por edhe VAR-it. Goli i parë i pësuar nga FC Malisheva erdhi pas një ekzekutimi të kornerit ku topi nuk ishte i vendosur sipas rregullave, një detaj që nuk duhet të kalojë pa u vërejtur në këtë nivel”, thuhet fillimisht në reagimin e tyre.

Sipas tyre ky raste përbën një lëshim jo profesional pasi stafi i Llapit e ka sinjalizuar rastin tek gjyqtari Alban Shala.

Më pas aty thuhet se ky rast ka ndikuar direkt në rrjedhën e lojës.

“Ky përbën një lëshim jo profesional, sidomos duke pasur parasysh se trajneri kondicional dhe lojtarët që ishin në ngrohje e kanë sinjalizuar gjyqtarin kryesor, Alban Shala, për këtë situatë, por kjo nuk është marrë parasysh. Po ashtu, edhe VAR-i ka pasur pamje të qarta dhe kohë të mjaftueshme për të ndërhyrë dhe për të njoftuar gjyqtarin kryesor që ekzekutimi të mos lejohej në atë formë.”

“Në një moment kur rezultati ishte 0-0, ky gabim ndikoi drejtpërdrejt në rrjedhën e ndeshjes dhe në zhvillimin e mëtejshëm të saj”, vazhdon tutje reagimi i tyre.

“Pa dashur të zbehim meritën e kundërshtarit, kërkojmë më shumë përgjegjësi dhe përqendrim në vendime të tilla dhe jo të bëhen këso lëshime në këtë nivel garash.”

Më tutje thuhet se ky reagim erdhi për shkak se ky moment nuk është përfshirë në publikimin e rasteve diskutabile të xhiros së 26-të nga eksperti i FFK-së, Petrit Hadri.

“Ky reagim vjen edhe si pasojë e faktit se ky rast, me gjithë ndikimin e tij të drejtpërdrejtë në rezultat, nuk është përfshirë në publikimin e rasteve diskutabile të xhiros së 26-të nga eksperti i FFK-së, Petrit Hadri, qoftë me dashje apo pa dashje. Ne besojmë se trajtimi i barabartë dhe gjithëpërfshirës i rasteve të tilla është thelbësor për transparencën dhe besueshmërinë e garës.”

“Megjithatë, ne do të vazhdojmë përpara, të fokusuar dhe të vendosur për t’u kthyer tek fitoret në ndeshjet e ardhshme, duke lënë pas situata të tilla, por pa i harruar ato”, mbyllet reagimi i Llapit.

Llapi pas 26 xhirove ndodhet në pozitën e tetë me 29 pikë, dhe ka vetëm një pikë më shumë se Drenica e cila është e nënta, pozitë kjo që të dërgon direkt në Ligën e Parë./Arbresh.info