Orav sinjalizon se BE mund të kërkojë rrugë tjera për zbatimin e Asociacionit, pa e çuar draft-statutin në Kushtetuese

14:19 | 21 Mars 2026
E.K

Shefi në largim i Zyrës së BE-së, Aivo Orav  në një intervistë me 4 gazetarë të mediave në gjuhën serbe është pyetur edhe për çështjen e Asociacionit dhe për përshtypjen se kjo temë nuk është aktualisht në agjendë të BE-së dhe Brukselit.

Orav ka thënë se BE për një kohë të gjatë ka përsëritur se Statuti i Asociacionit duhet t’i dërgohet Kushtetueses, megjithatë një gjë e tillë s’ka ndodhur meqë është deklaruar se Gjykata s’ka të bëjë me këtë çështje, konkretisht s’ka juridiksion për të vlerësuar.

“Ky qëndrim është mbajtur për një kohë të gjatë”, ka thënë Orav.

Megjithatë ai thekson se një qëndrim i tillë mund të mbahet nga BE edhe për një kohë shumë të gjatë, por thotë e nëse dihet se përsëri nuk do të dërgohet Asociacioni në Kushtetuese, atëherë një qasje e tillë s’do t’i ndihmojë askujt.

Ai thotë së në diplomaci duhet të gjenden mënyra për t’u marrë me procese të tilla, duke paralajmëruar gjetjen e rrugëve të reja për ta shtyrë përpara këtë çështje.

Diplomati estonez ka thënë se nëse lexohet në detaje deklarata e Peter Sorensen, qëndrimi i BE-së është se Asociacioni duhet të kryhet në bashkëpunim me komunitetin serb dhe brenda kornizës së Dialogut.

Orav ka thënë se pavarësisht kohës së kur do të bëhet Asociacioni, ai është obligim, dhe një gjë të tillë e di Kosova, BE-ja dhe Serbia.

“Bashkimi Evropian e ka mbajtur këtë qëndrim për një kohë mjaft të gjatë që ky draft i Asociacionit së duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Ai nuk është dërguar ende. Gjykata Kushtetuese tha gjithashtu se në fakt ata nuk kanë çfarë të bëjnë sepse nuk kanë autoritet ta vlerësojnë atë. Dhe ky qëndrim u mbajt për një kohë mjaft të gjatë. Përsëri, ne mund ta mbajmë këtë qëndrim për një kohë shumë, shumë, shumë të gjatë, por nëse e dimë se nuk do të ndodhë, atëherë mendoj se ky lloj qasjeje nuk i ndihmon askujt. Pra, në diplomaci, ne duhet të gjejmë mënyrat se si t’i trajtojmë këto çështje. Dhe tani, nëse e lexoni edhe një herë, ose dëgjoni, dua të them, nuk ka asnjë dokument, deklaratën e emisarit Serensen, ne e kemi marrë parasysh, duhet të bëhet, pa ndërprerje, komunitetin serb dhe dialogun e BE-së. Dialogu i Brukselit do të thotë dialog. Dialog, do të thotë gjithashtu Asociacion. Edhe nëse vjen më herët apo më vonë apo kështu me radhë, ai nuk është zhdukur, edhe nëse nuk u artikulua aq qartë, Asociacioni është aty. Dhe pastaj qeveria e di këtu, Beogradi e di, dhe emisari Serensen e di shumë mirë gjithashtu”,ka deklaruar Orav./Express/