NATO: S’ka vendim për reduktimin e trupave amerikane nga Kosova

12:34 | 13 Mars 2026
E.K

NATO-ja ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka ndryshime të rëndësishme në shqyrtim sa i përket reduktimit të mundshëm të trupave amerikane nga Kosova.

Një zyrtar i NATO-s tha se KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes.

NATO-ja thekson se vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Forca dhe qëndrimi i KFOR-it rishikohen dhe rregullohen periodikisht, me evoluimin e rrethanave në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij. Aktualisht, nuk ka ndryshime të rëndësishme në shqyrtim. KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. KFOR-i operon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Prania dhe aktivitetet e përditshme të KFOR-it në të gjithë Kosovën krijojnë hapësirë për dialog politik. Stabiliteti në rajon varet përfundimisht nga të gjitha palët që zgjedhin diplomacinë mbi dhunën. Rruga drejt paqes së qëndrueshme është politike. NATO-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, me respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve, tha një zyrtar i NATO-s për RTV21.

Tutje NATO-ja tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajnë një rol thelbësor në mbështetje të sigurisë në mbarë Kosovën dhe stabilitetin rajonal.

“SHBA-ja vazhdon të luaj një rol fundamental në mbështetje për një siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitet rajonal, përfshirë edhe në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO-ja, KFOR-i. Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse 600 trupa të dislokuara në KFOR. Ato udhëheqin Komandën Rajonale Lindje të misionit në kampin ‘Bondsteel’. Komanda Rajonale Lindje në kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në shumë mënyra të ndryshme, duke përfshirë patrullimet, ushtrimet, angazhimet me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve lokale dhe mbështetjen e projekteve të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik”, tha një zyrtar i NATO-s.