Hezbollah dëmton një stacion satelitor izraelit

23:53 | 10 Mars 2026
E.G

Një raketë e lëshuar nga Libani goditi një stacion satelitor thellë brenda territorit të Izraelit, raportuan sot mediat izraelite.

Televizioni “N12” publikoi pamje dramatike nga një kamerë makine që tregojnë momentin e goditjes gjatë sulmit

Sipas raportimeve, u godit një stacion që i përket operatorit europian të satelitëve SES, i vendosur në zonën Emek Haela, pranë qytetit Beit Shemesh.

Milicia libaneze Hezbollah, e mbështetur nga Irani, mori përgjegjësinë për sulmin dhe pretendoi se objekti i goditur i përkiste një njësie kibernetike të ushtrisë izraelite.

Megjithatë, mediet izraelite e përshkruan atë si një objekt civil dhe komercial.

Këto pretendime nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Stacioni satelitor ndodhet rreth 160 kilometra nga kufiri me Libanin, duke e bërë sulmin një goditje të pazakontë precize thellë brenda territorit izraelit.

Sipas gazetës “Times of Israel”, shpërthimi shkaktoi dëme në infrastrukturën e objektit dhe plagosi dy persona.

Ushtria izraelite tha se një “dështim i izoluar” bëri që raketa të godiste objektivin pa u interceptuar dhe pa u aktivizuar sirenat paralajmëruese në zonë.

Gazeta ekonomike izraelite “Calcalist” raportoi se raketa ishte e tipit “Fateh-110”, një raketë tokë-tokë me drejtim preciz e prodhuar në Iran dhe e pajisur me një kokë të rëndë shpërthyese, e projektuar për të goditur infrastrukturë strategjike.

Shpërndaje në rrjete sociale