Flick vlerëson Newcastlen, komenton edhe deklaratat e Xavit që kanë trazuar rrjetin

20:52 | 9 Mars 2026
D.H

Trajneri i Hansi Flick doli në konferencë për shtyp para ndeshjes së parë të rrethit të 1/8 së finales në Champions League ndaj Newcastle United në stadiumin St James’ Park.

Para këtij takimi, trajneri gjerman u pyet jo vetëm për ndeshjen, por edhe për situatën politike dhe zgjedhore që po zhvillohet te FC Barcelona, si dhe për deklaratat e fundit të ish-trajnerit Xavi Hernández.

Flick theksoi se marrëdhënia e tij me Xavin është e mirë dhe se disa gjëra mbeten private.

“Jemi kolegë. Kam marrëdhënie të mirë me të. E kam vizituar dhe kemi biseduar kur ai ishte trajner. Është një çështje private dhe nuk ka lidhje me median. Unë e di të vërtetën dhe e mbaj për vete”, tha Flick.

Kujtojmë se në një intervistë të dhënë ‘La Vanguardia’, Xavi ka kritikuar Laportan dhe e ka akuzuar atë se ishte presidenti i Barçës ai që nuk ka dashur ta kthejë Messin në skuadër.

Sa i përket ndeshjes ndaj Newcastle, trajneri gjerman paralajmëroi se skuadra angleze është shumë e rrezikshme dhe kërkon përqendrim maksimal.

“Newcastle luan mirë, bën presion një kundër një dhe është shumë i shpejtë në sulm. Duhet të mbrojmë shumë mirë, me krenari dhe guxim. Të dy ndeshjet kanë rëndësi dhe duhet të jemi të kujdesshëm”, u shpreh ai.

Flick u pyet edhe për spekulimet rreth të ardhmes së drejtorit sportiv Deco dhe nëse largimi i tij do të ndikonte edhe te ai.

“Dua të përqendrohem te ndeshja. Që nga dita e parë kam punuar shumë mirë me Deco dhe Bojan Krkić. Ne analizojmë jo vetëm ekipin e parë, por edhe lojtarët e akademisë. Kemi të njëjtën ide për të ardhmen e klubit”, tha trajneri i Barcelonës.

Ai gjithashtu foli për nevojën që skuadra të përmirësojë mbrojtjen, duke kujtuar gabimet e bëra kundër Atlético Madrid.

“E kemi analizuar atë ndeshje. Nuk mbrojtëm si ekip ashtu siç donim. Kur nuk bën presion është e vështirë të mbrohesh. Dua të shoh që të gjithë lojtarët të jenë afër njëri-tjetrit dhe të bëjnë presion me dhe pa top”, theksoi ai.

Trajneri gjerman foli edhe për talentët e rinj të Barcelonës si Lamine Yamal, Fermín López dhe Pau Cubarsí.

“Është kënaqësi të shohësh si po përmirësohen. Cubarsí, për shembull, po bën një punë fantastike në mbrojtje. Ka shumë potencial dhe me më shumë përvojë do të arrijë nivel shumë të lartë”, përfundoi Flick.

Në fund, Flick paralajmëroi se pret një atmosferë të fortë dhe një kundërshtar shumë të motivuar në ndeshjen e Champions League.

“Champions League është ndryshe. Të gjithë japin maksimumin. Pres një ekip shumë të mirë dhe një atmosferë fantastike. Nuk do të jetë e lehtë, por duhet të gjejmë zgjidhjet për t’u përballur me lojtarët e tyre të shpejtë”, deklaroi ai./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale