Gra lidere dhe sipërmarrëse mblidhen në tryezën e Bankës Ekonomike për Ditën e Gruas

09:23 | 9 Mars 2026
E.H

Në një atmosferë të mbushur me energji, ide dhe frymëzim, u mblodhëm rreth një tryeze të veçantë të organizuar nga Hamide Pacolli Gashi, Zëvendësdrejtoreshë Ekzekutive në Bankën Ekonomike, në shënim të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas dhe në vitin jubilar të 25-vjetorit të Bankës Ekonomike.

Ky takim krijoi një hapësirë të vlefshme dialogu, ku gra lidere, profesioniste dhe sipërmarrëse nga fusha të ndryshme u bashkuan për të ndarë përvoja, për të diskutuar sfidat dhe për të ndërtuar vizione të reja për të ardhmen.

“Ishte nder i veçantë të kemi në këtë tryezë figura të rëndësishme si Nesrin Shileku- Shala, Zëvendësguvernatore në Bankën Qendrore të Kosovës, Senida Mesi, Anëtare e Bordit të Drejtorëve të Bankës Ekonomike, Nora Arifi, Menaxhere e Lartë e Portofolit në Fondin e Garancisë së Kreditit të Kosovës (FKGF), Albulena Shala, Anëtare e Bordit të Drejtorëve të Bankës Ekonomike, Yllka Ahmeti Doktore e Shkencave te Ekonomise, si dhe shumë gra sipërmarrëse dhe profesioniste që përfaqësojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë”, thuhet në postimin e Bankës Ekonomike.

Ky takim rikujtoi edhe një herë se idetë marrin më shumë vlerë kur ndahen, përvojat bëhen më të fuqishme kur tregohen dhe vizionet për të ardhmen forcohen kur ndërtohen së bashku.

Përmes diskutimeve të hapura dhe shkëmbimit të përvojave, u theksua roli gjithnjë e më i rëndësishëm që gratë kanë në zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.

“Ky takim është dëshmi se kur gratë bashkohen rreth ideve dhe vizioneve të përbashkëta, krijohen mundësi të reja për zhvillim, bashkëpunim dhe sukses. Falënderim i sinqertë për të gjithë pjesëmarrëset për një diskutim inspirues dhe shumë domethënës. Le të vazhdojmë të krijojmë më shumë hapësira ku gratë jo vetëm marrin pjesë, por edhe vendosin”, thuhet në postimin e Bankës Ekonomike./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale