Vedat Muriqi afër ta thyejë edhe një rekord historik të Samuel Eto’os

17:31 | 8 Mars 2026
D.H

Me dy golat e shënuar mbrëmë ndaj Osasunës, Vedat Muriqi shkoi në kuotën e 18 golave në La Liga sivjet.

Pas këtij dygolëshi, Muriqi e theu një rekord që mbahej nga legjenda tjetër e klubit, Samuel Eto’o.

Sulmuesi dardan u bë lojtari i vetëm i Mallorcas që ka shënuar 18 ose më shumë gola në La Liga për klubin, duke e tejkaluar Eto’on, që kishte 17 të tilla, në sezonin 2003/04.

Por, ky nuk është rekordi i vetëm që mund ta thyejë Muriqi këtë sezon.

Ai është në hap të mirë për ta thyer edhe një tjetër të tillë, që po ashtu mbahet nga kamerunasi.

Nëse shënon edhe tri gola tjerë këtë edicion në La Liga, Muriqi bëhet golashënuesi më i mirë i Mallorcas në elitën e futbollit spanjoll.

Ai momentalisht i ka 52 gola, derisa Samuel Eto’o i ka 54.

Në listë janë edhe Juan Arago – i treti – me 45, Victor Casadesus i katërti me 37 dhe Dani Guiza me 28 gola.

Në përgjithësi, golashënuesi më i mirë në historinë e Mallorcas (në të gjitha garat), është Samuel Eto’o me 70 gola. I dyti është Abdon Prats me 59 gola, derisa pirati dardan, Vedat Muriqi është i treti me 53 gola.

Muriqi iu bashkua Mallorcës fillimisht në janar të vitit 2022, në formë huazimi nga Lazio, teksa pas gjashtë muajsh, në korrik të po atij viti iu bashkua edhe në formë të përhershme.

Mallorca pagoi 8 milionë euro për shërbimet e tij, në korrik të vitit 2022.

Më parë, Muriqi kishte bërë karrierë edhe në Turqi te Fenerbahçe, Çaykur Rizerspor, Gençlerbirligi e Giresunspor.

Sulmuesi dardan kishte luajtur edhe në Shqipëri te Teuta e Besa, derisa në Kosovë u paraqit për Lirinë.

Shpërndaje në rrjete sociale