Nagavci: Presidenti i zgjedhur nga populli rrit legjitimitetin demokratik

21:07 | 5 Mars 2026
E.H

Arbërie Nagavci, kryetare e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët i jep mandat të qartë nga populli dhe rrit legjitimitetin demokratik.

Sipas saj, sistemi aktual juridik në Kosovë bën që zgjedhja e presidentit të varet nga marrëveshjet mes partive politike, ndërsa votimi i drejtpërdrejtë do të siguronte mbështetje më të gjerë shoqërore.

Nagavci tha se kur qytetarët votojnë për presidentin, ata ndihen më të përfshirë në procesin politik dhe se një president i zgjedhur duhet të fitojë mbështetjen e shumicës së qytetarëve dhe grupeve të ndryshme shoqërore, duke u bërë figurë më unifikuese për vendin.

Ajo theksoi se si grup parlamentar i Vetëvendosjes mbështesin amendamentet kushtetuese për këtë çështje.

“Një president i zgjedhur nga qytetarët duhet të fitojë mbështetjen e shumicës së qytetarëve dhe të grupeve të ndryshme të shoqërisë, jo vetëm të deputetëve, gjë që mund ta bëjë figurën presidenciale më përbashkuese për vendin. Andaj, si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, japim mbështetje për këto amendamente”, deklaroi Nagavci.

Shpërndaje në rrjete sociale