Nis shqyrtimi i amandamenteve për zgjedhjen e Presidentit nga populli

17:24 | 5 Mars 2026
E.H

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka nisur shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që Presidenti ose Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.

Anëtari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Adnan Rrustemi, bëri të ditur se komisioni është ngarkuar me këtë detyrë nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për të shqyrtuar amendamentet dhe për të zhvilluar procedurat e nevojshme institucionale.

Sipas Rrustemit, propozimet synojnë të ndryshojnë mënyrën e zgjedhjes së presidentit, duke kaluar nga zgjedhja në Kuvend në zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli.

LEXO EDHE:

Haxhiu mbështet Osmanin: Presidenti të zgjidhet nga populli

Ai theksoi se këto amendamente mbështeten me arsyetimin se një model i tillë do të ndihmonte në eliminimin e ngërçeve politike që në të kaluarën kanë penguar funksionimin normal të institucioneve dhe kanë rrezikuar stabilitetin institucional.

“Me këtë mënyrë synohet të shmangen bllokadat politike që shpesh kanë shoqëruar procesin e zgjedhjes së presidentit në Kuvend, duke krijuar më shumë stabilitet dhe funksionim më të qëndrueshëm të institucioneve,” theksoi Rrustemi.

Komisioni për Legjislacion pritet të vazhdojë me shqyrtimin e amendamenteve në ditët në vijim, ndërsa më pas ato do t’i procedohen për hapat e mëtejmë në Kuvend.

LEXO EDHE:

Osmani propozon zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, procedon amendamentet në Kuvend

Shpërndaje në rrjete sociale