Pacolli thirrje deputetëve të jenë të përgjegjshëm në zgjedhjen e Presidentit: Mos lejoni që vendi të shkoj përsëri në zgjedhje

15:00 | 5 Mars 2026
E.K

Afati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës përfundon sot, ndërsa skena politike mbetet e ndarë rreth emrit që do të marrë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar të mërkurën zyrtarisht emrin e Glauk Konjufca për president, duke e çuar procesin në një fazë vendimtare para skadimit të afatit kushtetues.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se nuk do ta votojnë asnjë kandidat pa një marrëveshje të gjerë politike mes partive parlamentare.

LVV ka theksuar se është e gatshme për garë demokratike në Kuvend dhe ka kërkuar nga LDK dhe PDK që të propozojnë një emër, në mënyrë që të krijohen kushtet për thirrjen e seancës dhe zhvillimin e votimit për presidentin.

Lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ka folur për “Front Online” ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Pacolli u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendi i Kosovës që të tregohen të përgjegjshëm në procesin e zgjedhjes së presidentit dhe të shmangin dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.

Ai tha se shpreson që përfaqësuesit e popullit të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e momentit politik.

“Shpresoj që deputetët e Kuvendit të Kosovës të jenë të vetëdijshëm dhe të mos lejojnë që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje. Do të ishte e udhës që ata të bisedojnë dhe të zgjedhin kandidatin të cilin do ta votojnë”, u shpreh Pacolli.

I pyetur se a do dëshironte të ishte kandidat për President, Pacolli bëri të qartë se nuk është më pjesë aktive e politikës, duke shtuar se është ndarë nga kjo fushë.

“Jo, unë jam ndarë nga politika dhe kështu është më mirë. Sigurisht, kontributin tim do t’ia jap Kosovës edhe në këtë mënyrë”, ka deklaruar Pacolli.