Dhuna në shkolla po bëhet një problem gjithnjë e më shqetësues për shoqërinë kosovare. Rasti i fundit në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë në institucionet arsimore, duke nxitur reagime të menjëhershme institucionale.
Pas incidentit, drejtori i shkollës dhe një mësimdhënës janë suspenduar, ndërsa ndaj një të mituri është iniciuar një rast penal për veprën “Sulm”. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se dhuna në shkolla nuk është një fenomen i izoluar, por pasqyrim i një krize më të gjerë sociale që nis në familje, përshkon sistemin arsimor dhe prek institucionet e rendit dhe të mirëqenies sociale.
Eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, thekson se problemi është i gjerë dhe i lidhur me tërë sistemin shoqëror
“Problemi është në tërë sistemin, jo vetëm arsimor, edhe në pjesën e shoqërisë dhe shtetit, që lidhet me sistemin arsimor. Problemi është edhe tek organet e rendit dhe ligjit, tek shërbimet sociale, tek trajtimi i delikuentëve të mitur, mungesa e sigurisë nëpër shkolla, fuqizimi i shkollës që fëmijët të dërgohen në rrugën konstruktive dhe te familja. Të gjitha këto janë rezultat se as familja, as shkolla e as shoqëria kosovare nuk i kanë përshtatur kushtet me modernitetin e sotëm”, tha Rexha.
Edhe sociologu Genc Xërxa vlerëson se fenomeni ka shkaktuar një varg faktorësh socialë dhe ekonomikë, duke u reflektuar tek fëmijët që ndodhen jashtë mbështetjes së duhur familjare dhe sociale.
“Problemet fillojnë nga familja, ku fëmijët hasin raporte të tensionuara, mungesë përkrahjeje dhe vëmendjeje. Këto krijojnë mllef dhe destruktivitet, që më pas shfaqet në shkolla dhe vende ku ata frekuentojnë”, tha Xërxa.
Autoritetet komunale në Prishtinë thonë se kanë ndërmarrë masa konkrete për forcimin e sigurisë dhe parandalimin e incidenteve të ngjashme. Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit dhe Policinë, ka hartuar një strategji dhe plan veprimi për sigurinë në shkolla.
Lulzim Fushtica, drejtor i Sigurisë dhe Emergjencave në Prishtinë, thotë se kanë bërë vlerësimin e rrezikshmërisë në të gjitha shkollat e kryeqytetit, duke përfshirë infrastrukturën, sigurinë fizike dhe kibernetike. “Në buxhetin e këtij viti është paraparë vendosja e oficerëve të sigurisë në çdo shkollë, përgjegjës për mbikëqyrjen dhe parandalimin e incidenteve”, tha ai.
Ai shton se patrullat policore, me zyrtarë të uniformuar dhe në rroba civile, janë shtuar në afërsi të shkollave fillore dhe të mesme për të krijuar një mjedis më të sigurt për nxënësit./RTK
Rubio konfirmon se droni goditi parkingun pranë konsullatës ...
Rikthehet ndotja e ajrit në Prishtinë, ja ku renditet sonte
Wolves shkakton befasinë e radhës e mposht kampionin aktual
Barcelona “për pak” nuk e rikthen rezultatin nda...
E mërkurë pranverore: Temperaturat deri në 17 gradë Celsius
Trump dhe Merz takohen në Shtëpinë e Bardhë, fokus Irani dhe...