Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi ka njoftuar qytetarët e Kosovës që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe për mundësinë e një evakuimi emergjent, në rast të vazhdimit të bllokadës së hapësirës ajrore në vend.
Përmes një njoftimi, ambasada se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, me institucionet shtetërore në Kosovë, si dhe me Ambasadën e Kosovës në Riad, për të shqyrtuar opsionet më të shpejta dhe më të sigurta për evakuimin e qytetarëve, shkruan Arbresh.info.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës – vizitorë të bllokuar dhe rezidentë – se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e vendit pritës, me institucionet shtetërore në Kosovë, si dhe me Ambasadën tonë në Riad, për të shqyrtuar mundësinë më të shpejtë dhe më të sigurt në rastin e evakuimit të qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.
Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ndodhen në territorin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe që nuk janë paraqitur ende, të kontaktojnë menjëherë përmes emailit dhe telefonit zyrtar, duke dërguar të dhënat personale sipas dokumentit të udhëtimit dhe informacionin për qytetin ku ndodhen.
“Kjo është e domosdoshme në mënyrë që kërkesat tuaja në rastin e evakuimit të mund të procedohen për pajisje me leje kalimi urgjente në kufirin e Mbretërisë së Arabisë Saudite”, theksohet më tej.
Sipas njoftimit, procedura për lejet e kalimit realizohet nga Ambasada në Abu Dhabi në koordinim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Riad, për të gjithë qytetarët që gjenden në Emirate.
“Në momentin e domosdoshmërisë së evakuimit dhe krijimit të mundësisë për evakuim të organizuar emergjent, në koordinim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, institucionet tona shtetërore dhe autoritetet e Arabisë Saudite për sigurimin e fluturimeve nga aeroportet si Jeddah ose Riyadh, Ambasada do t’ju njoftojë menjëherë”, përfundon njoftimi./Arbresh.info
Shqipëria paralajmëron qytetarët t’i shmangin udhëtimet drej...
Zemaj: LDK ka shumë emra meritorë për president, për Vjosa O...
Izraeli sulmon televizionin shtetëror në Teheran
Çuni i LDK-së: Se a e meriton Vjosa Osmani edhe një mandat d...
Haxhiu falënderon Finlandën për mbështetjen në shtetndërtim
Grupi Parlamentar i LDK-së mblidhet në seli