Profesori universitar përkrah kandidimin e Osmanit për presidente

20:05 | 27 Shkurt 2026
R J

Profesori universitar në Universitetin e Pitsburgut, Mark Walter, ka publikuar një mesazh emocional dhe vlerësues për Kosovën dhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, duke e cilësuar këtë të fundit si mishërim të qëndrueshmërisë, vizionit dhe përkushtimit institucional.

Në një postim publik, Walter shprehet se nga të gjitha qytetet ku ka jetuar, vetëm tri i zgjojnë ndjenjën e mallit të thellë: Pitsburgu, Singapori dhe Prishtina. Sipas tij, këto qytete ndajnë një tipar të përbashkët: ringritjen me dinjitet dhe optimizëm pas periudhave të vështira ekonomike dhe politike.

Duke u ndalur te Kosova, profesori thekson se e njeh presidenten Osmani prej 25 vitesh, duke shtuar se ajo përfaqëson më së miri “hirin dhe optimizmin” që karakterizon vendin.

Ai vlerëson se, ndonëse ngritja e saj në pozita të larta shtetërore do të ishte e pashmangshme falë aftësive personale, rrugëtimi i saj dëshmon fuqinë e investimit afatgjatë në njerëz dhe rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare të bazuara në parime.

“Presidentja Osmani është një lidere që jam i lumtur ta ndjek”, përfundon ai.

Walter nënvizon përkushtimin e vazhdueshëm të Osmanit për një Kosovë që qëndron me vetëbesim në arenën ndërkombëtare, promovon qeverisje të mirë dhe konkurron denjësisht në ekonominë globale. Sipas tij, këmbëngulja, disiplina dhe bindja e saj kanë ndikuar vazhdimisht në orientimin e vendit drejt stabilitetit dhe drejtësisë.

Ai thekson se Kosova, si shumë demokraci të reja, po kalon një moment të ndërlikuar, ku testi i vërtetë i lidershipit është qartësia dhe qëndrueshmëria nën presion. “Ajo që gjithmonë e ka dalluar Presidenten Osmani është maturia — aftësia për të ndërthurur bindjen me respektin institucional dhe ambicien me durimin”, shkruan Walter, duke shtuar se kjo qasje do të jetë vendimtare në muajt në vijim.

 

Të ngjashme