Kurti mori pjesë në konferencën e dytë ndërkombëtare të IKKL-së, “Nga lufta në rimëkëmbje”

20:16 | 17 Shkurt 2026
Q L

Në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është hapur edhe konferenca e dytë ndërkombëtare “Nga lufta në rimëkëmbje”, e organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shprehu në fjalimin e tij se nuk ka simbolikë më të fuqishme se sa ta lidhim Ditën e Pavarësisë me përgjegjësinë tonë për reflektimin shkencor dhe institucional mbi plagët e luftës dhe rrugën e rimëkëmbjes sonë.

“Përtej një aktiviteti akademik, kjo konferencë është pjesë e procesit të gjerë shtetëror dhe shoqëror për përballje me të kaluarën, për dokumentim të së vërtetës dhe drejtësi. Sepse pavarësia jonë, krahas së qeni një akt politik demokratik, është edhe obligim moral kujtese ndaj të dashurve që na i vranë dhe përgjegjësi ndaj brezave që do të vijnë”, u shpreh kryeministri.

Përmendi edhe seancat gjyqësore që po zhvillohen aktualisht në Hagë, në kuadër të Dhomave të Specializuara, në një proces gjyqësor i cili ende është në zhvillim e sipër dhe do të ndjekë rrugën e vet ligjore deri në përfundim. Theksoi se pavarësisht kësaj, ai nuk mund dhe nuk do ta ndryshojë një të vërtetë themelore historike: se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe e domosdoshme, për liri dhe për mbijetesë, jo nga dëshira për dhunë apo pushtet. Ajo ishte përgjigje ndaj një regjimi shtypës, ndaj represionit sistematik deri në aparteid dhe mohimit të të drejtave themelore të popullit tonë deri në gjenocid. Ky proces nuk mund të vërë në dyshim karakterin çlirimtar e antikolonialistë të luftës sonë, as aspiratën legjitime të Kosovës për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor.

Kryeministri shprehu se e ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, por është pjesë e narratives hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë, e iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev më 15 prill 2008, pra as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Shtëpi të Verdhë” nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione, dëshmi e fakte se ka pasur “Sarajevo Safari” ku rol thuhet të ketë pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, me ç’rast për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjak civilë me snajperë në qytetin e rrethuar në fillim të viteve ’90. Për të hetuar e gjykuar krimet e “Sarajevo Safari” do të duhej të angazhohej ndonjë gjykatë speciale ndërkombëtare.” tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti tha se dokumentimi është akt respekti ndaj jetës së secilit e secilës që u vra, u zhduk apo u torturua gjatë luftës. Në këtë drejtim, ai shtoi se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ka forcuar ndjeshëm kapacitetet e tij dokumentuese dhe arkivore, duke standardizuar procedurat e verifikimit, ndërtuar baza të reja të të dhënave dhe avancuar punën për regjistrimin e viktimave dhe dëmeve të luftës.

Ndërkaq, Atdhe Hetemi, Drejtor ekzekutiv i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, tha se pavarësia e Kosovës është fryt i një rrugëtimi të gjatë të shënuar nga padrejtësi dhe vuajtje, por edhe rezultat i qëndresës, sakrificës së popullit të Kosovës dhe mbështetjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë. “Prandaj kujtesa dhe reflektimi shkencor mbi të kaluarën mbetet element thelbësor i vetë kuptimit të shtetësisë dhe përgjegjësisë sonë ndaj brezave të ardhshëm”, tha ai, duke shtuar se kjo konferencë është vazhdimësi e një tradite në zhvillim e sipër dhe dëshmi e përkushtimit tonë për ta thelluar dialogun shkencor, për ta zgjeruar perspektivën e hulumtimit mbi krimet e luftës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme