Mbi 1 mijë e 300 biznese u shuan gjatë vitit 2025, dominon mbyllja e veprimtarive të vogla

11:11 | 14 Shkurt 2026
E.K

Gjatë vitit 2025, në Kosovë është shënuar një numër i konsiderueshëm i bizneseve të mbyllura, ku shumica e tyre i përkasin kategorisë së bizneseve individuale, duke reflektuar vështirësi të theksuara në sektorin e vetëpunësimit dhe në ekonominë e vogël.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), gjithsej 1,104 biznese individuale kanë ndërprerë aktivitetin gjatë këtij viti, duke përbërë shumicën absolute të bizneseve të mbyllura.

Pas bizneseve individuale renditen 215 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (Sh.p.k.), ndërsa format e tjera juridike shënojnë numra shumë më të ulët.

Konkretisht, janë mbyllur 14 degë të shoqërive të huaja, 13 ortakëri të përgjithshme, si dhe vetëm 1 kooperativë bujqësore dhe 1 shoqëri aksionare.

Nga ana e sektorëve, ARBK raporton se më shumë biznese janë mbyllur në tregtinë me shumicë dhe pakicë, riparimin e mjeteve motorike dhe motocikletave, ku janë regjistruar 370 subjekte të shuara.

Ndjekin industria e përpunimit dhe prodhimit me 156 biznese të mbyllura, aktivitetet profesionale dhe teknike me 115, hoteleria dhe akomodimi me 114, ndërtimtaria me 105, transporti me 93, dhe bujqësia dhe pylltaria me 92 biznese të shuara.

Ndërkaq, sipas ARBK-së, numri i bizneseve aktive në Kosovë aktualisht është 13,008.