Qiproja nuk i lejoi të marrë pjesë me simbole shtetërore, karateistët kosovarë nuk udhëtuan fare

23:25 | 8 Shkurt 2026
D.H

Karateistët e Kosovës munguan në Kampionatin Evropian të karatesë për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U21, që u mbajt gjatë fundjavës në Limasol të Qipros, ku morën pjesë mbi 1000 garues nga e gjithë Evropa.

Kosova nuk u lejua të marrë pjesë me simbole shtetërore në këtë ngjarje, ndërsa pjesëmarrja pa simbole nuk u konsiderua si opsion.

Federata e Karatesë së Kosovës kishte marrë konfirmimin javë më parë se kombëtarja nuk do të lejohej të garonte me të drejta të barabarta me shtetet e tjera.

Për shkak të kësaj, u vendos që karateistët kosovarë të mos udhëtonin drejt Qipros për të marrë pjesë në kampionatin kontinental.

Vendimi për ndalimin e garimit me simbole shtetërore u mor nga Qeveria e Qipros dhe u pranua nga Federata Evropiane e Karatesë, duke bërë që sportistët kosovarë të mbeteshin jashtë garës që nisi të premten dhe përfundoi të dielën.

Qiproja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe ka vazhduar me qëndrimin e saj ndaj sportistëve kosovarë, duke i përjashtuar nga pjesëmarrja me simbole shtetërore në këtë kampionat.

Shpërndaje në rrjete sociale