Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet lidhur me dyshimet për manipulime të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës në disa komuna nën kompetencën e saj territoriale.
Sipas njoftimit zyrtar, më 22 janar 2026 Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore, me qëllim të sigurimit të provave relevante dhe identifikimit të personave përgjegjës.
“Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga Prokurori i Shtetit dhe mbajtjes së takimeve koordinuese me Policinë e Kosovës, si dhe pas raportit të pranuar nga ana e tyre, për komunat nën kompetencë të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ju njoftojmë si në vijim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në komunën e Ferizajt, bazuar në raportet që përfshijnë gjithsej 153 vendvotime, Prokuroria bën të ditur se keqpërdorimet me vota kanë qenë minimale.
“Nga 153 vendvotime, vetëm një kandidat ka pasur shtim prej shtatë (7) votash në të gjitha qendrat, ndërsa për kandidatët e tjerë rezulton shtim nga një (1) deri në tre (3) vota”, thekson Prokuroria.
Edhe në komunën e Hanit të Elezit, sipas Prokurorisë, përqindja e manipulimeve ka qenë e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.
Ndërkaq, në komunën e Shtimes janë evidentuar manipulime në tri qendra të votimit, me një përqindje më të lartë të ndërhyrjeve në rezultat.
“Ka rezultuar një numër më i madh i shtimit të votave për tre kandidatë, prej dhjetë (10) deri në dyzet e pesë (45) vota”, thuhet më tej në njoftim.
Në lidhje me këto dyshime, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të intervistojë kryesuesit e qendrave të numërimit në Ferizaj dhe Han të Elezit, ndërsa në Shtime do të intervistohen komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve.
Sa i përket komunave të Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria njofton se është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga Policia e Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj do të vazhdojë hetimet në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve, përveç nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër që kërkon veprime shtesë hetimore”, thuhet në njoftim.
Në fund, Prokuroria rithekson përkushtimin e saj për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj mbetet e angazhuar për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimin e ligjit, duke hetuar çdo rast të dyshuar”, përfundon njoftimi.
Franca bëhet vendi i parë i BE-së që hap konsullatë në Grenl...
Gjykata cakton datën e seancës për shpërthimin në Ibër-Lepen...
Zbulohen keqpërdorime me pesticide, institucionet nisin insp...
Aksident në Gjilan, shoferi humbi kontrollin dhe përfundoi j...
Abdixhiku takon ambasadorin gjerman, flasin për situatën pol...
Muriqi kërkon ta vazhdojë formën e shkëlqyer edhe ndaj Barce...