Sveçla jep detaje për Ligjin për të Huajt e atë për Automjete

16:04 | 6 Shkurt 2026
Q L

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një video-mesazhi ka dhënë detaje lidhur me Ligjin për të Huajt e për Automjete. Ai thotë se fushata informuese zgjatë deri më 15 mars, dhe thotë se pas kësaj date këto dy ligje do të zbatohen plotësisht.

“Nga 16 janari në të gjitha pikat kufitare dhe Aeroportin e Prishtinës, të huajt janë informuar për detyrimet ligjore që lidhen me hyrjen, qëndrimin, punësimin dhe qarkullimin në Republikën e Kosovës”, tha Sveçla, derisa shtoi se vizitorët e huaj duhet të kenë dokumente të vlefshme udhëtimi, të respektojnë afatin dhe qëllimin e qëndrimit dhe ta paraqesin adresën brenda tre ditësh nga hyrja në Kosovë.

“Qëndrimi afatshkurtër lejohet në 90 ditë brenda 180 ditësh, por pa të drejtë pune. Për punësim nevojitet leje qëndrimi e leje pune. MPB po lehtëson procedurat duke mundësuar paraqitjen e elektronike të adresës si dhe aplikimin për leje qëndrim edhe në Mitrovicën e Veriut Gjilan e Prizren”, tha ministri në detyrë.

Sa i përket automjeteve, Sveçla tha se të gjithë, të huajt dhe qytetarët tanë duhet të respektojnë afatet për qarkullimin e automjeteve të regjistruara jashtë Kosovës dhe rregullat për përdorimin e patentë shoferëve të huaj.

“Këto ligje vlejnë njësor për të gjithë dhe janë të harmonizuara me standardet evropiane me qëllim të garantimit të sigurisë, transparencës dhe trajtimit të barabartë, ato janë thelbësore për menaxhimin kufijve migracionit dhe rendit publik”, shtoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale