Balla: Diaspora, jo vetëm vëmendje zgjedhore, por partner strategjik

20:49 | 27 Janar 2026
E.G

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtuesi politik i PS-së për Diasporën, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në Kuvend i kushtoi një pjesë rëndësisë që ka diaspora shqiptare, duke theksuar nevojën për një ndryshim thelbësor në mënyrën se si institucionet e shtetit shqiptar e trajtojnë atë.

Gjatë diskutimeve në Kuvend për projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë në disa fusha, Balla tha se kjo është një marrëveshje historike, si sa i takon pikave që ajo prek, por edhe sa i përket nivelit më të lartë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona.

Balla tha se “nuk ngurojmë as ne majtas e as ju djathtas të jemi mirënjohës qeverive ndër vite të Republikës italiane, që nga viti 1991, kur populli italian, qeveria italiane, policia italiane, të gjitha strukturat e shtetit italian në mars e pas marsit, në fakt, duke filluar që nga korriku i vitit 1990, me shqiptarët e parë që ikën përmes ambasadave, treguan gatishmërinë, por edhe dashurinë e popullit italian për të mikpritur vëllezërit e motrat tanë në ato vite të vështira për vendin tonë”.

Më tej, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste u shpreh se marrëveshja forcon edhe partneritetin me diasporën, për të cilën Balla tha se “ajo nuk duhet të jetë objekt vëmendjeje vetëm në momente zgjedhore, por një partner i vazhdueshëm në jetën politike, institucionale dhe shoqërore të vendit”.

Kuvendi i Shqipërisë, vijoi Balla, ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për ndërtimin e një qasjeje të re dhe afatgjatë ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, duke përfshirë jo vetëm diasporën në Itali, e cila përbën komunitetin më të madh, por edhe shqiptarët në Greqi, Gjermani, Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe në të gjitha vendet ku ata jetojnë dhe kontribuojnë.

Në këtë kontekst, Balla kërkoi bashkëpunim politik dhe institucional, duke iu drejtuar edhe grupit parlamentar të Partisë Demokratike për ndërtimin e një plani të përbashkët.

“Samiti i Diasporës i planifikuar për datat 14–15 prill nuk është vetëm një nismë e qeverisë, por edhe një angazhim i Kuvendit, ku deputetët e mazhorancës dhe opozitës duhet të kenë rol aktiv në forcimin e lidhjes së shtetit shqiptar me diasporën”, theksoi Balla.