Bashkimi Evropian ka nisur një hetim të gjerë ndaj chatbot-it ‘Grok’ të platformës X, në pronësi të Elon Musk, pas reagimeve globale për aftësinë e tij për të gjeneruar imazhe seksualisht eksplicite, përfshirë edhe të fëmijëve.
Bashkimi Evropian ka nisur një hetim të gjerë ndaj chatbot-it ‘Grok’ të platformës X, në pronësi të Elon Musk, pas reagimeve globale për aftësinë e tij për të gjeneruar imazhe seksualisht eksplicite, përfshirë edhe të fëmijëve.Skandali shpërtheu në fund të vitit të kaluar, kur chatbot-i i inteligjencës artificiale prodhoi një sërë imazhesh digjitale, ku gra dhe fëmijë paraqiteshin të zhveshur, si përgjigje ndaj kërkesave të përdoruesve.
Pas reagimeve të forta ndërkombëtare, X fillimisht njoftoi se ky funksion do të kufizohej vetëm për përdoruesit me pagesë, por më pas kompania ndaloi plotësisht krijimin e imazheve të personave realë në veshje provokuese për të gjithë përdoruesit, raporton CNN.
Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i BE-së, tha të hënën në një deklaratë se hetimi do të shqyrtojë nëse X “i ka vlerësuar dhe zbutur siç duhet rreziqet që lidhen me vendosjen e funksionaliteteve të Grok në X në BE”.
Henna Virkkunen, zyrtare e lartë e Komisionit Evropian për teknologji, siguri dhe demokraci, deklaroi:
“Deepfake-t seksualë të grave dhe fëmijëve janë një formë e dhunshme dhe e papranueshme e degradimit. Me këtë hetim do të përcaktojmë nëse X ka përmbushur detyrimet e tij ligjore apo nëse të drejtat e qytetarëve evropianë, përfshirë gratë dhe fëmijët, janë trajtuar si dëm anësor i shërbimit të tij”.
I kontaktuar për koment, X i referoi CNN-it një deklarate të 14 janarit, ku thuhet ndër të tjera:
“Ne ndërmarrim veprime për të larguar përmbajtjen me prioritet të lartë që shkel rregullat, përfshirë materialet e abuzimit seksual të fëmijëve (CSAM) dhe zhveshjen pa pëlqim, duke marrë masa të duhura ndaj llogarive që shkelin rregullat e X-it. Po ashtu, raportojmë tek autoritetet përkatëse llogaritë që kërkojnë materiale të shfrytëzimit seksual të fëmijëve”.
Në një informim për gazetarët, një tjetër zyrtar i Komisionit Evropian pranoi masat e ndërmarra deri tani nga X, por tha se kompania nuk i kishte vlerësuar siç duhet rreziqet para lansimit të chatbot-it.
Hetimi është hapur në bazë të Aktit për Shërbimet Digjitale të BE-së (Digital Services Act), i cili u kërkon kompanive të mëdha teknologjike të ndërmarrin më shumë veprime kundër përmbajtjeve të paligjshme dhe të dëmshme në internet.
Nuk ka afat kohor për përfundimin e hetimit dhe as sinjale të qarta për masat që Komisioni Evropian mund të marrë, por një gjobë mbetet e mundshme. “Ajo që ne synojmë është ndryshimi i sjelljes së platformës” tha zyrtari.
Në dhjetor, BE e gjobiti X-in me rreth 140 milionë dollarë, duke vlerësuar se dizajni mashtrues i shenjës së kaltër të verifikimit dhe funksione të tjera shkelin Aktin për Shërbimet Digjitale. Musk e quajti këtë gjobë “të çmendur”. Sipas Komisionit, gjoba ende nuk është paguar, por kompania ka ende kohë për ta shlyer.
Më herët këtë muaj, edhe Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, njoftoi nisjen e një hetimi për “përhapjen e materialeve seksualisht eksplicite pa pëlqim, të prodhuara me anë të Grok”.
Si pasojë e kësaj çështjeje, Grok mbetet i ndaluar në Indonezi dhe Malajzi, ndërsa edhe rregullatori britanik Ofcom ka nisur një hetim formal ndaj platformës X./rtk
Marrëveshje historike tregtare BE-Indi pas 20 vitesh negocia...
“Koha i vendos gjërat në vend”, Abdixhiku reagon pas intervi...
BE nis hetim ndaj ‘X’ të Elon Musk
64 të dënuar aplikuan për falje, Presidentja refuzon të gjit...
‘Vazhdoni të ëndërroni’ – shefi i NATO-s t...
Lëvizje suprizë, Tottenhami synon transferimin e mesfushorit...