Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka dhënë një paralajmërim shqetësues lidhur me çmimet e biletave për Kupën e Botës, vetëm pak më shumë se katër muaj para fillimit të turneut.
Në muajt e fundit, çmimet e biletave për Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada kanë qenë shqetësim i madh për tifozët. Të premten, Infantino konfirmoi frikën më të madhe të tyre, duke thënë se rishitësit e biletave do të shkaktojnë rritje dramatike të çmimeve.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror, Infantino theksoi se në SHBA rishitja e biletave është plotësisht ligjore.
“Ka ligj që e lejon këtë, prandaj ne duhet ta pranojmë,” u shpreh ai.
Infantino shtoi se të gjitha 104 ndeshjet e Kupës së Botës pritet të shiten plotësisht, çka do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve në tregun e rishitjes.
“Biletat për të cilat do të duhet të hedhim short, sepse çdo ndeshje do të jetë sold-out, me shumë gjasë do të rishiten me çmime edhe më të larta,” tha ai.
Sipas tij, kërkesa për bileta ka arritur nivele historike.
“Në gati 100 vjet histori të Kupës së Botës, FIFA ka shitur rreth 50 milionë bileta gjithsej. Ndërsa tani, për këtë Botëror, kemi kërkesë sa për 1,000 vite Kupa Bote njëherësh.”
Megjithatë, tifozët nuk ndajnë të njëjtin entuziazëm, sidomos pas publikimit të çmimeve aktuale në platformat e rishitjes. Në tregun zyrtar të rishitjes së FIFA-s – ku federata përfiton rreth 30 për qind nga çdo shitje – biletat për finalen janë listuar deri në 230 mijë dollarë, ndërsa bileta më e lirë e kategorisë 1 kushton rreth 16,998 dollarë.
Këto çmime paraqesin një rritje enorme krahasuar me çmimin fillestar, i cili pritet të jetë mes 4,000 dhe 8,000 dollarë, duke marrë parasysh edhe çmimet dinamike që FIFA planifikon të aplikojë.

Për ndeshjen e parë të SHBA-së kundër Paraguait në stadiumin SoFi, çmimet e rishitjes për biletat e kategorisë 1 variojnë nga 3,677 deri në mbi 100,000 dollarë.
Komentet e fundit të Infantinos përbëjnë një kthesë të fortë krahasuar me qëndrimin e tij në fund të dhjetorit, kur ai kishte mbrojtur çmimet, duke thënë se FIFA kishte pranuar 150 milionë kërkesa për bileta brenda vetëm 15 ditësh.

Ai gjithashtu theksoi se fitimet nga Kupa e Botës do të riinvestohen në futbollin global.
“Pa FIFA-n nuk do të kishte futboll në 150 vende të botës. Të ardhurat nga Botërori rikthehen në lojë.”
Pas reagimeve të ashpra nga tifozët, FIFA ka garantuar se një numër i kufizuar biletash – rreth 10 për qind e kuotës për çdo kombëtare – do të ofrohen me çmim të reduktuar prej 61 dollarësh./Arbresh.info
Marrëveshje historike tregtare BE-Indi pas 20 vitesh negocia...
“Koha i vendos gjërat në vend”, Abdixhiku reagon pas intervi...
BE nis hetim ndaj ‘X’ të Elon Musk
64 të dënuar aplikuan për falje, Presidentja refuzon të gjit...
‘Vazhdoni të ëndërroni’ – shefi i NATO-s t...
Lëvizje suprizë, Tottenhami synon transferimin e mesfushorit...