Rutte: NATO-ja pret nga Beogradi përcaktimin e përgjegjësinë për sulmin në Banjskë

18:38 | 26 Janar 2026
E.G

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka rikujtuar se ende nuk ka pasur llogaridhënie për sulmin terrorist në Banjskë, si dhe për sulmet e kryera ndaj ushtarëve të KFOR-it gjatë trazirave në pranverën e vitit 2023.

Duke folur në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ai tha se NATO po e përcjell nga afër situatën e sigurisë në Ballkan, me fokus të veçantë në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

“Unë kam marrëdhënien time me presidentin Aleksandar Vuçiq. Ne e njohim njëri-tjetrin prej shumë vitesh. Por, sigurisht, presim që ai të japë llogari për atë që ndodhi disa vjet më parë, për dy çështje. Dhe për të dyja, ai premtoi llogaridhënie të plotë”, tha Rutte.

Fokus i debatit megjithatë, ishte tek marrëveshja që Rutte arriti me presidentin amerikan, Donald Trump, lidhur me Grenlandën. Kjo marrëveshje bëri që Trump të heqë dorë nga tendencat për ta vënë Grenlandën nën kontroll.

Sipas shefit të Aleancës, Donald Trump kishte brenga të lidhura me sigurinë në Arktik. Ai konfirmoi se presidenti amerikan është plotësisht i përkushtuar ndaj NATO-s. Në këtë rrafsh, ai kishte një porosi të veçantë për evropianët:

“Nëse dikush mendon këtu, përsëri, se Bashkimi Evropian ose Evropa si e tërë mund të mbrohet pa SHBA-në – le të vazhdojë të ëndërrojë. Nuk mundeni. Ne nuk mundemi pa SHBA-të. Kemi nevojë për njëri tjetrin”, tha Rutte.

Shpërndaje në rrjete sociale