Abdixhiku pas takimit të kryesisë: Zgjodhëm dialogun, përçarja pa debat dhe pa demokraci është dëm

20:58 | 19 Janar 2026
E.H

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është lajmëruar me një postim në Facebook, pas mbledhjes gati katër orëshe që mbajti sot Kryesia e kësaj partie.

Abdixhiku ka thënë se në këtë mbledhje vendosën që Kuvendi i LDK-së të thirret më 31 janar, teksa ka thënë se ky Kuvend nuk është krizë por “mundësi”.

“Në një kohë kur politika shpesh ushqehet me tension dhe gjuhë përçarëse, ne zgjedhim maturinë. Zgjedhim qetësinë, dialogun e gjerë dhe besimin në demokracinë e brendshme. Debati është i shëndetshëm; përçarja pa debat dhe pa demokraci është dëm. LDK ka kaluar shumë sfida dhe gjithmonë ka ditur të ruajë boshtin e saj: demokracinë, dinjitetin dhe besimin te anëtarësia. Edhe kësaj here do të dalim më të bashkuar dhe më të gatshëm për sfidat që na presin, pa i llogaritur fatet tona individuale. Aq më pak timin”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai është shprehur i bindur se pas Kuvendit, LDK do të ecë përpara më e qartë, më e bashkuar dhe më e përgatitur.

“Në LDK nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë. As kur është e lehtë, e sidomos kur është e vështirë. Sepse kjo shtëpi nuk është ndërtuar për rehati personale, por për shërbim dhe për përgjegjësi ndaj një ideali më të madh se secili prej nesh. Prandaj, me përgjegjësi përballemi; para anëtarësisë”, ka shkruar Abdixhiku.

Pas mbledhjes së sotme, zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, deklaroi se Abdixhiku do ta ofroj dorëheqjen si Kryetar i LDK’së para këtij Kuvendi dhe se pastaj vendimi u mbetet në dorë delegatëve.

Shpërndaje në rrjete sociale