Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëkohësisht ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Në një deklaratë publike, Bajrami tha se ky veprim bazohet në standardin politik të LDK-së, sipas të cilit ata që marrin rezultate të rënda zgjedhore duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të hapin rrugë për zgjedhje të brendshme të partisë.
Ajo theksoi se vendimi nuk është personal apo emocional, por një respektim i standardeve që partia ka ndërtuar ndër vite.
Bajrami gjithashtu vuri në dukje se sfida kryesore për Kosovën mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit te një parti ose individ, duke shtuar se LDK-ja ka për qëllim mbrojtjen e shtetit, lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, duke vendosur interesin e partisë dhe vendit mbi interesin personal.
“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin, prandaj zgjedhjet e brendshme janë të domosdoshme dhe nuk na shpëton asnjë proces tjetër,” tha Bajrami, duke falënderuar gjithashtu mbi 126 mijë qytetarë që votuan LDK-në dhe mbi 57 mijë që i besuan angazhimin e saj politik.
Ajo konfirmoi se do të vazhdojë të punojë për LDK-në dhe për interesin e vendit si deputete e zgjedhur në mandatin e saj të shtatë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.
Nga kandidatët e LDK-së, Bajrami u rendit e dyta me 57 mijë vota.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do të ofrojë dorëheqjen e tij në Kuvendin e partisë, i cili pritet të mbahet së shpejti. Vendimi për pranimin ose jo të dorëheqjes do të merret përmes votës së delegatëve.
Abdixhiku deklaroi pas një mbledhjeje disaorëshe me bashkëpunëtorët e tij në selinë qendrore të LDK-së se ofrimi i dorëheqjes është pjesë e një procesi demokratik dhe se Kuvendi i LDK-së është organi i vetëm që ka kompetencë për vendimin për këtë çështje./Telegrafi.
Parashikimi i motit për të enjten
Rinumërohen gati 99% e 108 vendvotimeve, këto janë rezultate...
Ekstradohen në Kosovë dy persona, njëri nga Çekia e tjetri n...
I jashtëzakonshëm Fisnik Asllani, dhuron dy asistime të mrek...
Normalizohet qarkullimi në rrugën Kir–Qafë Thore, Beci: Lëvi...
Pas SHBA-së, edhe Britania tërheq personelin e vet nga Katar...