Rama nderohet me medaljen më të lartë “Zayed” nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara: Krenari për Shqipërinë

Screenshot

16:59 | 13 Janar 2026
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është nderuar me një nga titujt më prestigjiozë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Përmes një njoftimi në kanalet e tij të komunikimit, kreu i qeverisë bëri me dije se ka marrë medaljen që mban emrin e themeluesit të shtetit, “Zayed”, akorduar nga vetë Presidenti i Emirateve, Sheiku Mohammed Bin Zayed al Nahyan.

Kryeministri nuk e ka fshehur emocionin për këtë vlerësim, të cilin e ka cilësuar si një “surprizë të paimagjinueshme” dhe një nderim të jashtëzakonshëm, jo vetëm për të personalisht, por për të gjithë shtetin shqiptar.

“Akordimi i medaljes më të lartë të vendit mik e cila mban emrin e themeluesit të Emirateve të Bashkuara, sheikut Zayed, është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar,” shkruan Rama.

Në mesazhin e tij falënderues, Kryeministri theksoi se këtë medalje e pranon me përulësi dhe krenari në emër të Shqipërisë.

Ai shprehu mirënjohje të thellë për Presidentin e Emirateve, duke e quajtur atë një “mik të madh të shqiptarëve”, si dhe falënderoi qytetarët që i kanë besuar drejtimin e vendit.

“E mora përulësisht plot me krenari për Shqipërinë, e me mirënjohjen e thellë për mikun e madh të shqiptarëve, lartësinë e tij sheik Mohammed Bin Zayed, si dhe për çdo shqiptar që ma ka besuar përfaqësimin e Atdheut tonë të përbashkët,” përfundon reagimi i tij.

Postimi u shoqërua edhe me një fotografi nga ceremonia e nderimit.