Një person ka humbur jetën dhe të paktën 40 të tjerë janë plagosur si pasojë e një përplasjeje ballë për ballë mes dy trenave pranë Machu Picchu-t, atraksionit më të njohur turistik të Perusë.
Sipas autoriteteve lokale, aksidenti ka ndodhur të martën në një shinë të vetme që lidh stacionet Ollantaytambo dhe Aguas Calientes, qyteti më i afërt me qytetin e lashtë Inka. Në vendngjarje kanë dalë rreth 20 ambulanca, ndërsa të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor në spitale në qytetin fqinj Cusco.
Një zyrtar shëndetësor ka bërë të ditur se të paktën 20 nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë. Ndërkohë, Ambasada amerikane në Peru ka njoftuar se mes të lënduarve ka edhe shtetas amerikanë, megjithëse identitetet e tyre ende nuk janë konfirmuar nga policia.
Mediat lokale raportojnë se qindra turistë kanë mbetur të bllokuar në vendin e aksidentit, ndërsa procesi i evakuimit është vështirësuar për shkak të terrenit të thyer dhe qasjes së kufizuar në zonë.
Dy trenat e përfshirë në përplasje operoheshin nga kompanitë PeruRail dhe Inca Rail. PeruRail ka shprehur keqardhje për ngjarjen, duke deklaruar se stafi i saj ka ofruar menjëherë ndihmën e parë për pasagjerët dhe personelin e përfshirë. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta dhe autoritetet kanë nisur hetimet.
Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh mes operatorëve të transportit drejt Machu Picchu-t, për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me procesin e tenderimit dhe tarifat e larta të transportit, të cilat përbëjnë një burim të rëndësishëm fitimi për shkak të aksesit të kufizuar.
I ndërtuar në shekullin e 15-të në Andet Peruviane, Machu Picchu është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një nga Shtatë Mrekullitë Moderne të Botës. Autoritetet kanë vendosur që nga viti 2011 kufizime ditore për numrin e vizitorëve, megjithatë shqetësimet për turizmin e tepërt vazhdojnë.
Ngritët aktakuzë ndaj B.T për krime lufte në Kosovë
Paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik, Kurti: Do ta m...
Shtatë qytete mund të mbesin në terr për festë
Kurti: Investimet dhe ristrukturimi në Telekom po japin rezu...
Vetaksident në Pejë, lëndohet një person
Gerard Piqué raportohet se rikthehet nga pensionimi për të l...