Kurti në familjen e heroit Mujë Krasniqi:Obligim mos ta harrojmë sakrificën

18:09 | 25 Dhjetor 2025
Q L

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka qëndruar sot për vizitë në familjen e heroit të kombit Mujë Krasniqi, Komandant Kapuçit.

Kurti ka thënë se Mujë Krasniqi ishte ndër luftëtarët e parë të UÇK-së, trim dhe simbol i qëndresës sonë në luftën e fundit.

“Për ta nderuar veprën dhe jetën e tij, gjatë qëndrimit në Klinë e vizituam familjen Krasniqi, ku na priti babai i Mujës, Baca Lilë, Halil Krasniqi. Bisedat me të janë gjithmonë të këndshme dhe të kthjellëta. E kemi obligim moral dhe kombëtar, që kurrë të mos e harrojmë sakrificën e dëshmorëve të kombit tonë, të cilët dhanë gjithçka, që ne ta gëzojmë lirinë si popull dhe Kosovën e pavarur dhe sovrane, prosperuese dhe demokratike”, ka shkruar Kurti në Facebook, teksa ka publikuar edhe një video nga bashkëbisedimi me babain e Komandant Kapuqit, Halil Krasniqi.

Ky i fundit e ka falënderuar kryeministrin në detyrë për vizitën dhe mbështetjen.

“Kur e njeh familjen e dëshmorit, e njeh gjakun, e njeh Kosovën e njeh lirinë, e njeh kombëtaren, e njeh atdhetarin dhe ata e kanë bërë shtet, sepse Kosova s’ka qenë shtet dhe e bën shtet gjaku e baruti, me njerëz që janë edhe gjallë edhe ata që kanë shkuar”, thekson 91-vjeçari Halil Krasniqi.