Bellingham nën presion, Tuchel në “halle” – kush do të jetë ‘10-shi’ i Anglisë në Botërorin 2026?

17:25 | 25 Dhjetor 2025
D.H

Thomas Tuchel përballet me një dilemë të vërtetë në muajt në vijim. Një dilemë e mirë, por e mirëpritur. Siç deklaroi vetë trajneri i Anglisë gjatë pushimit të fundit ndërkombëtar në nëntor, ka katër pretendentë kryesorë për të zënë pozicionin e mesfushës sulmuese për Tre Luanët në Kupën e Botës verën e ardhshme: Jude Bellingham, Phil Foden, Morgan Rogers dhe Cole Palmer.

Nëse përfshijmë edhe Morgan Gibbs-White , kjo bën që pesë lojtarë të klasit botëror të konkurrojnë për një pozicion të vetëm.

Ndërsa jo të gjithë do të jenë në gjendje të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara , Meksikë dhe Kanada , vetëm njëri mund të jetë numri 10 i Anglisë.

Ndërkohë që ylli i Real Madridit, Jude Bellingham, po rikthehet gradualisht në formën e tij më të mirë nën drejtimin e Xabi Alonsos – duke shënuar edhe një gol spektakolar ndaj Sevillas – konkurrenca nga Premier League është më e fortë se kurrë.

Zhurma e krijuar rreth rikthimit të Bellingham në listën e Anglisë tregoi qartë se, ndryshe nga shtylla të padiskutueshme si Harry Kane, Bukayo Saka apo Declan Rice, vendi i tij në formacion nuk është i garantuar.

Kjo sepse Phil Foden, Morgan Rogers dhe Cole Palmer vazhdojnë t’i japin arsye Tuchel-it, me paraqitje dhe sidomos me gola, që t’i konsiderojë seriozisht.

Palmer, talent që kërkon menaxhim

Cole Palmer u shpreh hapur pas rikthimit nga dëmtimi.

“Sinqerisht, nuk kam menduar shumë për të ardhmen. Kam qenë i dëmtuar për tre muaj dhe tani më duhet vetëm të rikthehem fizikisht. E di çfarë mund të ofroj kur jam në formë të plotë”.

Tuchel e pa nga afër golin e parë të Palmer-it që nga shtatori, në fitoren 2-0 të Chelsea ndaj Evertonit.

Megjithatë, trajneri Enzo Maresca ishte i qartë: Palmer duhet të mbrohet dhe nuk mund të luajë dy ndeshje brenda tre ditësh.

Edhe pse këtë sezon ka luajtur vetëm 8 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola për shkak të dëmtimeve, një lojtar që ka gjeneruar 71 gola në dy sezonet e para me Chelsean është gjithmonë një aset special për turne të mëdhenj.

Foden po rikthehet në versionin e tij më të mirë

Edhe Phil Foden po rrit nivelin. Goli ndaj Crystal Palace e çoi në 6 gola në 5 javët e fundit të Premier League. Dy dopieta, gola dhe asistime – Foden po rikthehet. Edhe Pep Guardiola e pranoi.

“Vlera e tij është e pallogaritshme. Nuk ishte ndeshja e tij më e mirë, por po rritet dhe është ende shumë i ri”.

Vetë Foden u shpreh se është dakord me kritikat dhe se synon gjithmonë më shumë. Pas një sezoni 2023/24 fantastik me 27 gola dhe 11 asistime, ai ka gjeneruar tashmë 14 gola në 23 ndeshje këtë sezon.

Morgan Rogers, kërcënimi më serioz për Bellingham

Në heshtje, por me efikasitet maksimal, Morgan Rogers vazhdon të shënojë. Dy dopieta radhazi ndaj West Ham dhe Manchester United e kanë kthyer atë në liderin e Aston Villa-s së Unai Emeryt. Në sezonin 2025/26 ka arritur në 12 gola të gjeneruar, ndërsa Theo Walcott e quajti: “Titullar të sigurt për Anglinë në Botëror, 100%”.

Vetë Tuchel ka qenë shumë i qartë.

“Në këtë moment, Morgan Rogers dhe Jude Bellingham po konkurrojnë për të njëjtin pozicion”.

Që nga shtatori, Rogers ka qenë titullar në 4 nga 6 ndeshjet e Anglisë, me një gol dhe një asist. Edhe pse ka më pak “emër” se rivalët e tij, besimi i Tuchel-it dhe tifozëve anglezë është i madh. Aktualisht, ai përbën kërcënimin më të madh për Bellingham.

Çfarë do Tuchel nga ‘10-shi’?

Përzgjedhësi gjerman është i bindur se mediapunta është pozicioni ideal për Bellingham:

“Një nga pikat e tij më të forta është aftësia për të shënuar gola nga kjo zonë. Ka uri dhe vendosmëri si një ‘9’, gjë shumë e rrallë”.

Por konkurrenca është brutale. Foden shënon, Palmer shënon, Rogers shënon. Dhe nëse struktura taktike mbetet e njëjtë, jo të gjithë mund të luajnë së bashku – madje, jo të gjithë do të ftohen.

Ndërsa yjet e Premier League vazhdojnë të “shtyjnë” fort nga prapa, Jude Bellingham duhet të tregojë versionin e tij më të mirë deri në fund të sezonit, nëse dëshiron të mos vihet më në dyshim roli i tij si lider i Anglisë në Botërorin 2026.

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale