IKD: Asnjëra nga partitë e mëdha nuk e kanë vettingun në program

13:12 | 23 Dhjetor 2025
E.K

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin krahasues dhe analizues mbi programet politike të partive kryesore pjesëmarrëse në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, me fokus në qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit.

Gjatë prezantimit të raportit u theksua se asnjë nga programet politike të partive pjesëmarrëse nuk ofron një qasje gjithëpërfshirëse, të strukturuar dhe të matshme për avancimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit.

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, tha se raporti nuk vlerëson përshtatshmërinë politike apo adekuatshmërinë e zgjidhjeve të propozuara nga partitë, por fokusohet në nivelin e elaborimit, strukturimit dhe konkretizimit të angazhimeve programore.

“Vlerësimi është bërë mbi një metodologji të njëjtë dhe uniforme për të gjitha programet politike”, theksoi Shala, duke shtuar se raporti analizon se sa masat e propozuara janë të prezantuara në mënyrë të qartë, të strukturuara, të buxhetuara dhe të përcaktuara me afate kohore.

Sipas tij, vlerësimi është realizuar përmes dhjetë indikatorëve, të ndarë në dy shtylla kryesore: qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Në kuadër të qeverisjes së mirë janë vlerësuar barazia gjinore, transparenca dhe llogaridhënia, depolitizimi i administratës publike, dixhitalizimi dhe pavarësia e mediave. Ndërsa, indikatorët që lidhen me sundimin e ligjit përfshijnë reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, integritetin në fushën e prokurimit publik, Vettingun në drejtësi dhe të drejtat e njeriut.

“Rezultatet e vlerësimit tregojnë se asnjë nga programet politike nuk ofron një qasje gjithëpërfshirëse, të strukturuar dhe të matshme për avancimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit”, deklaroi Shala, duke shtuar se në shumicën e rasteve angazhimet mbesin në nivel të përgjithshëm ose deklarativ, pa masa konkrete dhe pa afate kohore.

Ai theksoi se gjetjet në fushën e sundimit të ligjit janë veçanërisht shqetësuese, pasi programet nuk ofrojnë vizione të qarta për reformën në sistemin e drejtësisë, ndërsa Vettingu në drejtësi nuk përmendet në programet e asnjërës nga katër partitë më të mëdha.

Sa i përket poentimit të përgjithshëm, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë vlerësimin më të lartë me 13 pikë nga 50 të mundshme, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 11 pikë, Lëvizja Vetëvendosje! (LVV) me 9 pikë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e fundit me 6 pikë.

Shala theksoi se diferencat në poentim ndërmjet partive janë relativisht të vogla dhe nuk pasqyrojnë plane të mirëfillta reformuese.

“Këto diferenca reflektojnë më shumë përfshirjen ose mungesën e trajtimit të disa indikatorëve specifikë, sesa ekzistencën e qasjeve të qarta dhe të strukturuara reformuese”, tha ai.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se partitë politike nuk i japin rëndësinë e duhur proceseve që lidhen me të ardhmen e vendit dhe integrimin evropian, pasi këto çështje mungojnë ose trajtohen në mënyrë sipërfaqësore në programet e tyre politike.

“Partitë politike nuk kanë ofruar programe përmbajtjesore, parime apo objektiva të qarta lidhur me Vettingun, Strategjinë për Sundimin e Ligjit, funksionimin demokratik të institucioneve kushtetuese, luftën kundër korrupsionit, qeverisjen me duar të pastra apo konfliktin e interesit”, tha Miftaraj.

Ai shtoi se mungesa e këtyre angazhimeve programore e bën të vështirë matjen e punës së partive politike në rast të ardhjes së tyre në pushtet.

“Nëse nesër duam ta masim punën e tyre bazuar në programet politike, atëherë mund të themi se ato nuk kanë obligime konkrete, sepse shumë nga çështjet e trajtuara në raport nuk janë pjesë e programeve të tyre. Prandaj, puna e tyre mbetet për t’u matur me deklarimet në debate televizive dhe premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore”, tha Miftaraj.