Skena tronditëse nga Indonezia – zjarri përfshiu të gjithë ndërtesën, të paktën 22 të vdekur

23:30 | 9 Dhjetor 2025
E.H

Një shpërthim i dyshuar i baterisë së një droni dhe një zjarr i mëvonshëm në një ndërtesë zyrash shtatëkatëshe në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakarta, lanë të paktën 22 persona të vdekur, përfshirë 15 gra, të martën, raportuan mediat lokale.

Deri më tani janë gjetur njëzet e dy trupa, përfshirë shtatë burra dhe 15 gra, tha shefi i policisë së Xhakartës Qendrore, Susatyo Purnomo Condro, sipas Kompas TV.

“Viktimat ishin të bllokuara në ndërtesën shtatëkatëshe kur shpërtheu zjarri këtë pasdite,” tha Susatyo, raporton aa.

Më herët, u raportua se autoritetet po vazhdonin kërkimin në ndërtesë, me fokus në katin e gjashtë, pasi qasja aty mbetej “veçanërisht sfiduese”. Kishte frikë se mund të kishte edhe viktima të tjera të bllokuara.

Sipas agjencisë së lajmeve Kyodo me seli në Tokio, ndërtesa ka të ngjarë të ketë qenë zyra e një dege indoneziane të kompanisë japoneze Terra Drone Corp, e cila ofron shërbime matjeje, bujqësore dhe të tjera duke përdorur dronë në Azinë Juglindore.

Gazeta Jakarta Globe raportoi se zjarri besohet se shpërtheu pas shpërthimit të një baterie droni dhe u përhap me shpejtësi në pothuajse të gjithë ndërtesën. Ekipet e ndihmës së shpejtë më vonë evakuuan viktimat, të cilët kishin vrapuar drejt çatisë.

Një hetim i plotë mjeko-ligjor do të nisë sapo zjarri të vihet nën kontroll. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale