Të arsimuarit po lënë Shqipërinë, emigrojnë 23%, rikthehen 3%

21:04 | 7 Dhjetor 2025
E.H

Shqipëria nuk po arrin ta përmbyse dot marzhin e emigrimit, teksa nga vendi po largohen edhe njerëzit me arsim te larte. Ne këtë periudhe norma e largimit ka arritur ne 23%, ndërsa ata qe rikthehen janë vetëm 3%.

Popullsia e arsimuar po e braktis Shqipërinë. Kërkimet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, zbulojnë për nivel të lartë të emigracionit në popullsinë e arsimuar në vitet 2023-2024 dhe kthime shumë më të ulëta të tyre, krahasuar me 38 vende të Rajonit ku hulumton BERZH.

Në raportin e tranzicionit të publikuar së fundmi, thuhet se rreth 23% e të arsimuarve nga vendi ynë tashmë ka emigruar. Më lart se Shqipëria renditen Bosnja, Autoriteti Palestinez dhe Taxhikistani.

Të dhënat tregojnë se në grupin e të arsimuarve në vitet 2023-2024, ikën 23% e kontigjentit, ndërsa u rikthyen nga ata që jetonin jashtë, vetëm 3%.

Studimi tregon se vendi po humbet më shumë profesionistë sesa arrin të tërheqë. Niveli i kthimit të profesionistëve mbetet shumë më i ulët edhe në raport me vendet e tjera të Europës Juglindore. Në këtë mënyrë, Shqipëria nuk po arrin të jetë një vend tërheqës për talentet ndërkombëtare, ndërkohë që humb vazhdimisht profesionistë drejt vendeve më të zhvilluara.

Studime të tjera vendase kanë treguar se profesionistët shqiptarë largohen kryesisht për mundësi më të mira pune dhe paga shumë më të larta në vendet e BE-së, një treg më të qëndrueshëm të karrierës dhe kushte më të avancuara të kërkimit, inovacionit dhe specializimit.

Ndërkohë, Shqipëria mbetet pak tërheqëse për profesionistët e huaj për shkak të tregut të vogël dhe pagave konkurruese të ulëta./euronews.al

Shpërndaje në rrjete sociale