Deputeti i LVV: Opozita mezi po e presin 28 prillin, për ta çuar vendin në zgjedhje

22:40 | 23 Prill 2026
R J

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, ka deklaruar se zhvillimet politike në vend po tregojnë mungesë të vullnetit për marrëveshje mes partive për zgjedhjen e presidentit të ri, duke akuzuar opozitën se po e orienton procesin drejt zgjedhjeve të reja.

Në Debat Plus, Hyseni tha se që nga 5 marsi, kur nuk u arrit të mbahej seanca për zgjedhjen e presidentit, procesi politik ka hyrë në një fazë bllokade.

“Gjithë kemi qenë dëshmitarë qysh me datën 5 (mars), kur ne nuk arritëm më mbajt seancën, filluam procedurën për zgjedhjen e presidentit. Edhe ekzaltimit që kemi pasur edhe nga presidentja por edhe gëzimin e madh të partive të tjera. Sikur janë në ujdi për të shkuar drejtë zgjedhjeve. Sot ato luftojnë për të arritur data 27 e 28 prillit (përfundimi i afatit kushtetues për zgjedhjet e presidentit) pa arritur marrëveshje. Të gjitha përpjekjet janë duke i bërë në atë drejtim”.

“Madje sot edhe deklaratat publike që i ke nga deputetët e opozitës, i ke se të martën përfundon epoka e Albin Kurtit. Nuk e vendosin disa deputetë të opozitës kur përfundon epoka e Albin Kurtit, e vendosin qytetarët”, ka thënë Hyseni.