Pse nuk ndodhi marrëveshja me PDK-në? Flet Izmaku

11:14 | 4 Dhjetor 2025
E.K

Ish-deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka reaguar pas zërave për një mundësi bashkimi me listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke thënë se një marrëveshje e tillë nuk ka ndodhur.

Në një postim në Facebook, Izmaku ka theksuar se ditëve të fundit ka pranuar shumë pyetje rreth kësaj çështjeje, por ka nënvizuar se Nisma do të vazhdojë të ecë në mënyrë të pavarur, nën udhëheqjen e Fatmir Limajt.

Postimi i plotë

Të dashur qytetarë, anëtarë, simpatizantë, votues dhe aktivistë të NISMA Socialdemokrate të Republikës së Kosovës,

Shumë prej jush më keni shkruar ditëve të fundit, duke pyetur për një bashkim të mundshëm me subjektin me të cilin kemi ndarë vlera të përbashkëta ndër vite.

Sot dua t’ju them me qartësi: ajo marrëveshje nuk ndodhi.

Por një gjë mbetet e pathyeshme:

Nisma do të ecë përpara, e pavarur, e përkushtuar dhe e mbështetur tek njerëzit që e besuan këtë rrugë dekada me radhë, nën lidershipin e provuar të Fatmir Limajt.

Ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë vendit me vlera që i përgjigjen realisht nevojave të qytetarëve.

Për ne, politika nuk është krenari e tepruar, as arrogancë;
politika është përgjegjësi, shërbim dhe përkushtim i përditshëm.

Ky është momenti ynë për t’u mobilizuar, për të qëndruar bashkë dhe për t’i treguar vendit se ka forcë politike që punon me dinjitet, me sinqeritet dhe me vizion të qartë.

Gara fillon.

Nisma vazhdon rrugën me ju nën udhëheqjen e dëshmuar të liderit tonë Fatmir Limaj!

Na priftë e mbara!/Arbresh.info