Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në prag të festimit të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në adresimin e tij, Kurti tha se me ndjesi feste dhe ngazëllimi ka ardhur sot në këtë ditë festimi, dy ditë pasi ishte në Manastir me rastin e 117- vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe diskutimeve e vendimeve të marra aty për alfabetin e shqipes.
“Këto data, si 22 nëntori i 1908-ës ashtu edhe 28 nëntori i 1912-ës, janë data historike të shënjuara një herë e mirë në kalendarin e kronologjisë së historisë së kombformimit dhe të shtetndërtimit të ne shqiptarëve”, tha ai.
Në shënim të 113- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri Kurti tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë tani ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, por me mënyrën se si përmirësohet jeta e qytetarëve.
“58 marrëveshje të nënshkruara vetëm në katër vitet e fundit nga 184 gjithsej dhe qindra mijëra qytetarë që çdo ditë e prekin këtë afrim në jetën e tyre, janë tregues se vizioni i përbashkët nuk është vetëm fjalë: është tregti që rritet me qindra milionë euro, energji që qarkullon pa pengesa, janë Lojërat Mesdhetare 2030, studentë që gëzojnë mundësi të barabarta, janë 26 vendkalime kufitare të reja e deri te projekti gjigant hekurudha Prishtinë–Durrës. Është hapja e zyrave doganore, heqja e vulës apostile, njohja e pensioneve dhe sigurimeve, njësimi i diplomave dhe lëvizja pa kontrolle kufitare. Në arsim e kulturë, janë abetarja unike, enciklopedia shqiptare dhe projektet kulturore mbarëkombëtare. Ndërsa në siguri, turizëm, bujqësi e drejtësi, procedurat e unifikuara dhe bashkëpunimi teknik po i bëjnë dy shtetet më funksionale dhe më të afërta se kurrë “, tha Kurti.
Sot, teksa e shënojmë 113 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri potencoi se çdo angazhim për forcimin e dy shteteve tona, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, vazhdon ta ketë bekimin e atyre burrave dhe grave që dhanë gjithçka nga dija dhe përvoja, nga guximi dhe jeta e tyre, për Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe për jetësimin e ideve të shqiptarizmës siç i konceptuan ato rilindësit tanë. Për më tepër, ai tha se ky përvjetor i shtetit shqiptar, po kremtohet në sfond të 81-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi dhe 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke kujtuar që Shqipëria ishte i pari dhe i vetmi vend në Evropë që u çlirua me forcat e saj, duke u rreshtuar drejt pas Aleatëve. Ai tha se ky rreshtim politik i shqiptarëve, duhet ruajtur si i tillë, bashkë me angazhimin tonë për ruajtjen e aleatëve tanë.
“Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë dhe së bashku i jetofshim dhe festofshim përherë!”, uroi në fund Kurti./Arbresh.info

Policia me urdhër operativ për zgjedhjet, publikon numrat ku...
Katër të arrestuar pas përleshjeve pranë një qendre imigraci...
Sulm me dron në Sudan, 11 civilë humbin jetën në një treg
Këtu mund të gjeni qendrën tuaj të votimit
Çfarë dokumenti duhet të keni me vete për të votuar sot?
Hapen qendrat e votimit në Kosovë, Radoniqi fton qytetarët t...