“Fitoret ndaj ekipeve të mëdha tregojnë karakterin” – Allegrin flet pas fitores ndaj Interit

08:09 | 24 Nëntor 2025
E.G

Massimiliano Allegri ka festuar një fitore të madhe të Milanit në derbin ndaj Interit, një triumf që e ngjit skuadrën kuqezi në vendin e dytë të Serie A, vetëm dy pikë prapa liderit Roma.

Edhe pse Milani u vendos nën presion për periudha të gjata dhe u shpëtua nga shtyllat në pjesën e parë pas tentimeve të Acerbit dhe Lautaro Martinez, ekipi tregoi cinizëm dhe efikasitet, duke goditur në kundërsulm ashtu si ndaj Romës javë më parë.

Christian Pulisic shënoi golin vendimtar pas një aksioni të shpejtë të Alexis Saelemaekers, ndërsa Mike Maignan vulosi fitoren me një pritje shumë të rëndësishme të penalltisë së Hakan Calhanoglu, ish-mesfushorit të Milanit.

Ky rezultat e konsolidon Milanin si një skuadër të “ndeshjeve të mëdha”: fitore ndaj Interit, Napolit, Romës e Bolognas dhe barazim me Juventusin. Megjithatë, Allegri pranon se humbja e pikëve kundër ekipeve më të vogla mbetet problemi kryesor i sezonit.

“Ka qenë një fitore e madhe, një ndeshje e bukur. Fillimisht ishim pak të tensionuar në 15 minutat e para, por pastaj u liruan dhe patëm katër ose pesë situata ku mund të kishim zgjedhur më mirë në të tretën e fundit, sidomos në pasimet drejt Pulisic dhe Saelemaekers”.

“Duhej të ishim më të saktë në harkime, pastaj në pjesën e dytë, pasi shënuam, ishte normale që Interi të shtynte. Patëm disa situata të favorshme me Leaon një kundër një, mbrojtëm mirë me markimin preventiv, gjë shumë e rëndësishme kundër Interit kur ata janë të rrezikshëm në daljen nga presioni i parë”.

“Mendoj se pikët që kemi janë ato që meritojmë, sepse me Napolin dhe Romën mund të kishim barazuar lehtësisht, kështu që gjithçka balancohet. Kjo ndeshje konfirmoi sezonin tonë që nga fillimi: kur duhej të vendosnim ritmin, nuk e bëmë gjithmonë, duke pësuar gola ndaj Cremonese, Parmës dhe Pisas”.

“Psikologjikisht, kjo është një fitore e rëndësishme, sepse qëndrimi në top katërshe ishte objektivi ynë”, deklaroi Allegri. /Telegrafi/