Afro 3 milionë euro dëm buxhetit të shtetit, Prokuroria Speciale jep detaje për aktakuzën ndaj Hajdarit dhe tre të tjerëve

18:46 | 11 Nëntor 2025
E.H

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj ministres në detyrë të Tregtisë, Rozeta Hajdari, dy zyrtarëve të ministrisë Irfan Lipovicës dhe Hafiz Garës, si dhe ndaj biznismenit Ridvan Muharremi.

PSRK njofton se Hajdari, Lipovica dhe Gara dyshohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi dyshohet për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, transmeton Arbresh.info.

“Të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G., akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, Në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës. Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M”, thuhet më tej në njoftim.

“Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

LEXO EDHE:

Skandali me rezervat shtetërore, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj ministres Rozeta Hajdari

Shpërndaje në rrjete sociale