Gjykata Supreme refuzon katër ankesa kundër vendimeve të PZAP-së

15:56 | 11 Nëntor 2025
Q L

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar katër ankesa të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke konfirmuar ligjshmërinë e vendimeve të këtij institucioni lidhur me proceset zgjedhore në disa komuna të vendit.

Në rastin e parë, Gjykata ka hedhur poshtë ankesën e kandidatit për asamblist në Komunën e Prishtinës, Kreshnik Sopi, nga subjekti politik Lidhja për Prishtinën, i cili kishte kontestuar mënyrën e aplikimit të kuotës gjinore. Gjykata theksoi se përllogaritja e mandateve nga KQZ dhe PZAP është bërë në përputhje me ligjin dhe nuk cenon vullnetin e votuesve. “Përfaqësimi gjinor nuk është vetëm kërkesë formale, por detyrim që zbatohet edhe gjatë ndarjes së mandateve,” thuhet në vendim.

Në rastin e dytë, është refuzuar ankesa e kandidatit të PDK-së në Podujevë, Isuf Osmani, i cili po ashtu kishte kundërshtuar aplikimin e kuotës gjinore. Sipas Gjykatës Supreme, pretendimet e tij “nuk qëndrojnë ligjërisht”, pasi zbatimi i kuotës 30 për qind për gjininë më pak të përfaqësuar është detyrim ligjor dhe i domosdoshëm për barazinë në përfaqësim.

Në rastin e tretë, ankesa e kryetarit të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), Tush Berisha, dhe kandidates Anduena Culaj, për rishpërndarje mandatesh në Komunën e Klinës, është refuzuar si e pathemeltë. Gjykata konstatoi se ndarja e ulëseve varet nga rezultati i votave dhe respektimi i kuotës gjinore brenda listave të subjekteve, jo nga krahasimi me komuna të tjera.

Ndërsa në rastin e katërt, Gjykata Supreme refuzoi ankesën e kandidatit Nedzad Uglanin nga subjekti Iniciativa për Mitrovicën e Veriut, i cili kërkonte rishqyrtim të vendimit të PZAP-së në bazë të të dhënave statistikore për numrin e banorëve rezidentë. Gjykata vlerësoi se vendimi i PZAP-së ishte i drejtë dhe nuk kishte shkelur asnjë të drejtë kushtetuese apo standard demokratik të procesit zgjedhor.

Sipas Gjykatës Supreme, në të gjitha rastet e shqyrtuara nuk është konstatuar cenim i parimeve të procesit zgjedhor, të përcaktuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.