Fitoi garën për kryebashkiak, Zohran Mamdani sfidon Trumpin: Në këtë moment errësire politike, Nju Jorku do të jetë drita

07:20 | 5 Nëntor 2025
E.H

Në një fjalim sfidues në Brooklyn, kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, premtoi një ndryshim rrënjësor në drejtimin e qytetit dhe në politikën kombëtare, duke e përshkruar Nju Jorkun si “dritën në këtë moment errësire politike”.

“Kur të hyjmë në bashki pas 58 ditësh, pritjet do të jenë të larta. Do t’i përmbushim ato“, deklaroi Mamdani, duke iu përgjigjur skeptikëve për moshën dhe përvojën e tij.

Ai përshkroi vizionin e tij si një “madhështi që nuk do të jetë abstrakte”, duke theksuar ndikimin konkret që politikat e tij do të kenë në jetën e qytetarëve.

“Do ta ndiejë çdo qiramarrës me qira të stabilizuar që zgjohet në ditën e parë të muajit dhe sheh se qiraja nuk është rritur. Do ta ndiejë çdo gjysh që mund të qëndrojë në shtëpinë për të cilën ka punuar, ndërsa nipërit e mbesat e tij jetojnë afër, sepse kostoja e kujdesit për fëmijët nuk i ka detyruar të largohen në Long Island”, tha ai.

Me më shumë se 97% të votave të numëruara, fitorja e Mamdanit është cilësuar vendimtare: ai mori mbi 1,030,000 vota, më shumë se të gjithë kundërshtarët e tjerë së bashku.

Në fjalimin e tij, Mamdani shpalli “një epokë të re” për qytetin më të madh të vendit, duke e paraqitur programin e tij si një kurs të ri e të guximshëm përballë oligarkisë dhe autoritarizmit që, sipas tij, po e përfshijnë Amerikën.

“Nëse dikush mund t’i tregojë një kombi të tradhtuar nga Donald Trump si ta mposhtë atë, është qyteti që e lindi atë,” tha ai, duke iu drejtuar Presidentit Trump me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Donald Trump, meqenëse e di që po më shikon, kam katër fjalë për ty: rrit volumin.”

Mamdani premtoi një vizion të guximshëm për Nju Jorkun, duke u zotuar të ulë koston e jetesës përmes ngrirjes së qirave, transportit publik falas dhe të shpejtë dhe kujdesit universal për fëmijët.

Një ditë më pare presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi të tërhiqte fondet federale për qytetin nëse Mamdani fitonte, duke e quajtur vazhdimisht kandidatin demokrat “komunist”./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale