Lautaro Martínez, “bomberi” i Ligës së Kampionëve në vitin 2025

09:44 | 22 Tetor 2025
D.H

Kapiteni i Interit po kalon një formë fantastike dhe, nëse llogarisim vetëm vitin kalendarik 2025, ai është shënuesi më i mirë në garën më prestigjioze të klubeve evropiane.

Gjatë këtij viti ai ka realizuar 11 gola në 10 ndeshje, shkruan Arbresh.info.

Në edicionin aktual të Ligës së Kampionëve, Lautaro ka realizuar tri gola në 2 ndeshje të zhvilluara.

Ai realizoi dy gola kundër Slavia Pragës dhe një gol tjetër ndaj Union SG në takimin e mbrëmshëm, ku Interi fitoi me rezultat 0-4.

Ndërsa në përballjen me Ajaxin, argjentinasi qëndroi në stol.

Në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, duke nisur nga ndeshja me Sparta Pragën në janar, argjentinasi regjistroi shifra mbresëlënëse, duke shënuar tetë herë.

Fillimisht realizoi një gol ndaj çekëve të Spartas, pastaj i shënoi tri gola kundër Monacos.

Feyenoordi ishte ‘viktima’ e radhës e Lautaros ku i realizoi një gol. Teksa dy herë i shënoi Bayern Munichut në çerekfinale.

Një tjetër gol ai e gjeti edhe në sfidën me Barcelonën, në gjysmëfinale. Megjithatë sulmuesi u ndal, në finalen e hidhur të Mynihut kundër PSG-së, ku Interi u mposht thellë 5-0, kapiteni zikaltër nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës.

Deri në fund të vitit 2025, Lautaro ka mundësi ta rris numrin e golave të shënuar pasi ka edhe tri ndeshje për t’i zhvilluar ndaj Kairatit, Atletico Madridit dhe Liverpoolit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale