Gërvalla në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Serbia paraqet kërcënim real për rajonin

17:05 | 21 Tetor 2025
E.G

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, paraqiti të arriturat e Republikës së Kosovës në forcimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, të cilat janë konfirmuar nga organizatat dhe institucionet më të besueshme ndërkombëtare.

Gërvalla theksoi se për të pestën herë me radhë, Banka Botërore e ka renditur Kosovën ndër vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Evropë, me parashikim rritjeje prej rreth 4% për vitet 2025 dhe 2026.

“Kosova është një demokraci e pastër perëndimore në Ballkanin Perëndimor. Mbështetja ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara arrin mbi 90 për qind. Ne jemi vendi më pro-NATO dhe më pro-amerikan në botë”, deklaroi ajo.

Ajo kujtoi se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 shpëtoi popullin e Kosovës nga një gjenocid në zhvillim, ku mbi 13 mijë civilë shqiptarë u vranë nga forcat serbe nën regjimin e Millosheviqit. “Ministri i propagandës në atë kohë ishte Aleksandar Vuçiq, sot president i Serbisë. Prandaj, nuk po flasim për të kaluarën, por për të tashmen”, shtoi ministrja Gërvalla.

Në fjalën e saj, ministrja paralajmëroi se Serbia sot përfaqëson një kërcënim real për paqen dhe stabilitetin në rajon, përmes makinerisë propagandistike të mediave të kontrolluara nga regjimi i Vuçiqit, që përhap urrejtje dhe nxit ndasi etnike.

“Në gjithë Serbinë mund të shihen murale dhe grafite që glorifikojnë kriminelët e luftës dhe ushqejnë frymën e urrejtjes ndaj Kosovës”, tha ajo.

Tutje, Ministrja Gërvalla theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, drejtësisë, dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, duke u pozicionuar si faktor i qëndrueshëm i sigurisë dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor./Arbresh.info/