Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi të premten se i ka hequr nga lista e sanksioneve katër aleatë të ish-presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik.
Ky vendim u përshëndet nga vetë Dodik, i cili po e zhvillon një fushatë për t’i hequr sanksionet amerikane kundër tij.
Dodik është sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania për pengimin e zbatimit të marrëveshjes së Dejtonit për paqe, e cila i dha fund luftës në Bosnje në vitet ‘90, si dhe nga disa vende evropiane që thonë se politikat e tij separatiste rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Bosnje.
Dodikut iu hoq mandati si president i entitetit serb të Bosnjës nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës, pasi Gjykata e Apelit e Bosnjës e mbajti në fuqi dënimin e ndaj tij nga shkurti me një vit burgim dhe me ndalim të ushtrimit të detyrës për gjashtë vjet.
Ai u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, i vendosur për të parandaluar kthimin e vendit në dhunë etnike.
Jellena Pajiq Bastinaq, Danijel Dragiçeviq, Goran Rakoviq dhe Dijana Millankoviq u sanksionuan në janar për shkak se ndihmuan në organizimin e festimeve të paligjshme të “Ditës së Republikës Sërpska”, të cilën serbët e Bosnjës e shënuan më 9 janar.
Ata e sfiduan vendimin e gjykatës më të lartë të Bosnjës, e cila ndaloi këtë festë si antikushtetuese, si dhe paralajmërimet e vëzhguesve perëndimorë të paqes.
Zyra Amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) nuk dha shpjegime pse këta katër persona u hoqën nga lista e sanksioneve.
Dodik, i cili ka angazhuar disa lobistë në SHBA për të ndihmuar në heqjen e sanksioneve ndaj tij, tha se sanksionet ishin të motivuara politikisht./rel
Sulme dhe kundërsulme: Irani dhe ShBA shkëmbejnë goditje në ...
E shtunë me diell dhe vranësira
Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në 18 shte...
Përfshihet nga flakët një automjet në Kaninë, dyshohet për s...
Riquelme synon ta sjellë Kloppin te Real Madridi
Krizë humanitare në Liban, OKB ngre alarmin për 1.4 milionë ...