Rama në Forumin Shqipëri-Turqi: Gati për të ndërtuar “autostradën e biznesit” mes Bosforit dhe Adriatikut

11:22 | 17 Tetor 2025
E.K

Në Forumin e Investimeve Shqipëri–Turqi, kryeministri Edi Rama dha mesazhe të forta optimizmi dhe bashkëpunimi strategjik mes dy vendeve, duke e cilësuar marrëdhënien ekonomike mes Tiranës dhe Ankarasë si më të fortë se kurrë.

“Një qeveri që është gati të mirëpresë, ndihmojë dhe garantojë çdo investim që të kthehet në histori suksesi,” deklaroi Rama në hapje të fjalës së tij, duke kujtuar rrugën e përbashkët të nisur një dekadë më parë dhe transformimin që ka ndodhur ndërkohë.

Kryeministri theksoi se objektivi kryesor i palës shqiptare është ridyfishimi i shkëmbimeve tregtare, duke shkuar edhe më tej me vizionin për ndërtimin e një “autostrade biznesi mes Bosforit dhe Adriatikut.”

Ai vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Turqisë, duke i përshkruar si “ura më të forta se kurrë”, që lidhin jo vetëm dy kryeqytete, por edhe lindjen me perëndimin, përmes projekteve të mëdha si Korridori 8 dhe Porti i ri i Durrësit.

“Kjo urë lidh historinë me të ardhmen, shpresën me mundësinë, reflektimet e së shkuarës me ambicien për të nesërmen,” tha Rama, duke ftuar investitorët turq të shohin nga Shqipëria si një partner të besueshëm dhe një destinacion strategjik për investime afatgjata.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Rama u shpreh: “Le ta shohim të ardhmen si atë që së bashku duhet ta rrokim, ku çdo investim, projekt dhe ëndërr bëhet shkak për një duartrokitje të re për historinë tonë të përbashkët. Rroftë miqësia Shqipëri–Turqi.”

Forumi shënon një tjetër hap në thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, duke synuar krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim, zhvillim dhe investime dypalëshe në sektorë strategjikë./rtsh