Hapet aplikimi për subvencionim të energjisë për familjet e cenueshme

16:29 | 13 Tetor 2025
E.H

Ministria e Financave ka njoftuar se është hapur aplikimi në Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2025 – 2026

Sipas njoftimit të ministrisë, nga sot, qytetarët mund të aplikojnë për subvencionim të energjisë përmes platformës eKosova, tek Shërbimet – Grante dhe Subvencione, transmeton Arbresh.info.

Familjet që kanë aplikuar vitin e kaluar nuk kanë nevojë të riaplikojnë, pasi të dhënat e tyre janë bartur automatikisht për vitin 2025.

“Megjithatë, nëse keni ndryshuar ndonjë informacion, si numri i anëtarëve të familjes, vendbanimi apo njehësori elektrik, ato mund t’i përditësoni lehtësisht në të njëjtin formular, duke bërë ndryshimet dhe më pas duke klikuar “Apliko””, thuhet në njoftim.

Ky program synon të mbështesë familjet më të cenueshme gjatë stinës së dimrit për të lehtësuar përballjen me shpenzimet e energjisë elektrike.

Kriteret kryesore të përfitimit:

Shtetas të Republikës së Kosovës;
Të ardhura deri në 150 € për anëtar;
Pasuri të paluajtshme deri në 100,000 €.

Subvencioni realizohet sipas formulës së përllogaritjes e cila është e bazuar në të ardhurat mesatare të familjes dhe lartësisë faturës së energjisë elektrike për muajin përkatës.

“Aplikimi mbetet i hapur për 6 muaj, por ftojmë të gjithë aplikuesit e rinj dhe ata të vitit të kaluar që kanë ndryshime në të dhënat e tyre që të aplikojnë në muajin tetor pasi pagesat në mënyrë retroaktive nuk do të realizohen”, njofton Ministria e Financave./Arbresh.info