Sallahu tregon dy vendimet që mund t’i marrë Kushtetuesja lidhur me Kuvendin

17:07 | 6 Shtator 2025
E.K

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese ka dy zgjidhje kushtetuese lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Sallahu thekson se refuzimi i Listës Serbe për të propozuar një kandidat për nënkryetar të Kuvendit përbën heqje dorë nga kjo e drejtë, dhe se kjo duhet të interpretohet nga Gjykata si përmbyllje e fazës kushtetuese të konstituimit.

“E para, Gjykata Kushtetuese mbi bazën e nenit 67 par. 4 të Kushtetutës duhet të vlerësojë qartë se refuzimi i Listës Serbe për ta propozuar kandidatin nga radhët e saj për nënkryetar të Kuvendit, nënkupton që ky subjekt politik ka hequr dorë nga kandidati i tyre për nominim për nënkryetar të Kuvendit dhe si i tillë Kuvendi i Kosovës tashmë e ka përmbyllur fazën kushtetuese të konstituimit të vet. Një situatë e ngjashme është përcaktuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për krijimin e qeverisë ku mosparaqitja e mandatarit është vlerësuar si humbje e të drejtës kushtetuese për ta paraqitur mandatarin nga subjekti politik që i ka fituar zgjedhjet”, tha ai.

Sallahu shton se, në mungesë të vullnetit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin – edhe pas përfundimit të procedurës së shortit që është zbatuar tri herë për secilin kandidat – Gjykata Kushtetuese duhet të ndërhyjë duke autorizuar Presidenten për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“E dyta, meqë Kuvendi i Kosovës tashmë ka ezauruar edhe procedurën e shortit të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit nga tri herë për secilin kandidatë, atëherë aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese është ekzekutuar në tërësi, ku në mungesë të vullnetit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin, Gjykata Kushtetuese duhet t’i jap autorizim Presidentës së vendit që t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme duke u bazuar në nenin 82 të Kushtetutës sipas analogjisë”, tha tutje ai./Arbresh.info